Rama: Do ta çojmë rritjen ekonomike në 7 përqind


Rama: Do ta çojmë rritjen ekonomike në 7 përqind

11:06 23/12/2016

Teksa renditi reformat e ndërmarra nga qeveria përgjatë këtyre viteve, Kryeministri Edi Rama tha se është i ndërgjegjshëm që ka ende për të bërë. Në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka pësuar transformime të rëndësishme, në çdo sektor.

Kreu i qeverisë tha se, ndonëse të dhimbshme, këto reforma kthehen në të ardhura që shkojnë te njerëzit në nevojë.

“Nuk do të rrisnim rroga e pensione nëse nuk do të kishim bërë reformat e dhimbshme. Nuk ka rrugë tjetër sepse reformat, sa më shumë t’i shmangësh, aq më shumë e rëndon situatën”,

theksoi Rama.

Teksa u ndal tek rimëkëmbja e kompanisë CEZ dhe investimet e saj, Rama u shpreh optimist për rritjen ekonomike, për të cilën tha se gjatë viteve të ardhshme qeveria ka në plan ta çojë deri në 7 përqind.

“Sot ka një hetim për CEZ, i organizuar nga ata të cilët e çuan në kolaps dhe e vendosën shtetin shqiptar në pozitën e pamundur për të administruar jo thjeshtë sektorin, por financat. Sot, kompania jo vetëm që nuk merr më taksa, por investon. E si mos ketë ende problem me energjinë elektrike, kur ka shumë nevojë investime. Por sot është kompania ajo që po investon dhe është në gjendje të mbështetet financiarisht, pasi ka një bilanc të shëndetshëm. Flasim për rritjen ekonomike? Patjetër që 3.5 përqind nuk është një rritje e lartë, por sot e bën Shqipërinë me rritjen ekonomike më të lartë në rajon. Por jemi koshientë që kjo nuk mjafton, kemi nevojë të shkojmë përtej kësaj dhe do të shkojmë. Kemi në plan për të shkuar në mbi 7 përqind rritje ekonomike, përmes një programi investimesh prej 1 miliardë dollarësh. Sot kjo është e mundur, sepse Shqipëria nuk ka një borxh që e kërcënon. Është hera e parë që rriten rrogat e pensionet pa marrë borxh,

” tha ndër të tjera Kryeministri Rama.

Ndërsa duke folur për arrestimin e Klement Balilit, Kryeministri tha se nuk lejon që të goditet Policia e Shtetit e Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Balili, theksoi Rama sot është në kërkim dhe këtë e konsideroi si ndryshim të madh, pasi sipas tij, deri dje do ishte duke ngrënë mish qingji dhe duke dëgjuar çiftelinë me shefat e policisë.

“Nuk lejoj të goditet policia dhe Ministri i Brendshëm për arrestimin e Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj dhe nuk pranoj të më japin leksione. Kjo nuk është një luftë e lehtë, nuk është një luftë që bëhet duke mbajtur fjalime balte në Kuvend. Klement Balili është në kërkim siç janë në kërkim sot bosat e narkotrafikut në gjithë botën. Ndryshimi është i madh, sepse deri dje ishte duke ngrënë mish qingji dhe duke dëgjuar çiftelinë me shefat e policisë”.

/tvklan.al






Të ngjashme