Rama fal kamatvonesat, reagon Basha: Fatkeqësisht, falja vjen tepër vonë


Rama fal kamatvonesat, reagon Basha: Fatkeqësisht, falja vjen tepër vonë

21:38 18/12/2016

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pas lajmit të kryeministrit Edi Rama për faljen e kamatvonesave për familjet në nevojë. Në një postim në Facebook, Basha tha se kjo është një gjë e mirë, edhe pse vonë për disa qytetarë të cilët i kanë dhënë fund jetës pasi nuk kishin mundësi të paguanin detyrimet.

Lulzim Basha:

Edi Rama më në fund pranon dëmin e madh që u bëri shqiptarëve në nevojë me terrorin 3 vjecar ndaj të varfërve që nuk paguanin dot dritat.

Ai sot lajmëroi se do të falë kamatëvonesat, që është më minimalja që i kemi kërkuar të gjithë prej të paktën dy vitesh.

Kjo është gjë e mirë për shumë familje në nevojë, sidomos tani që çmimi i dritave është rritur dhe fuqia blerëse e çdo familje shqiptare ka rënë.

Fatkeqësisht, falja vjen tepër vonë për Qamil Zelën që u vetëvra si pasojë e burgosjes së padrejtë për dritat e papaguara, për Arif Dodën dhe Llazar Nasin që u vetëvranë nga depresioni pasi OSHEE i shkëputi dritat, për 35 vjeçaren Resmie Alla qe vdiq duke rilidhur energjinë për vogëlushet e saj azmatike, për Barbulla Pepen qe vdiq nga i ftohti pasi OSHEE i shkëputi për 2 muaj energjinë ne mes te acarit dhe për mijëra të tjerë që kaluan drama dhe tronditje psikologjike nga dhuna shtetërore ndaj tyre për më shumë se tre vjet.

Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës faktit se po afrojnë zgjedhjet dhe tani që Edi Rama ka nevojë për votat e njerëzve do përpiqet t’u hedhë edhe atyre ndonjë qoke të vogël, pasi tre vjet në pushtet ka menduar vetëm për pasuritë e tij dhe klientëve të tij duke grabitur paratë e qytetarëve.

Falja e detyroi Kryeministrin që të nxjerrë veten gënjeshtar: në nëntor 2014 ai pati deklaruar se 98 për qind e pensionistëve dhe 93 për qind e personave me aftësi të kufizuar e paguanin rregullisht energjinë elektrike. Sot ai u detyrua te pranoje se janë të paktën 67 mijë familje pensionistësh që nuk përballojnë dot pagesat në kohë, të energjisë dhe janë gjobitur me kamatëvonesa. Megjithatë më mirë vonë se kurrë./

tvklan.al

 

 






Të ngjashme