Rama: Falë jush, Europa ndryshoi perceptim për Shqipërinë


Rama: Falë jush, Europa ndryshoi perceptim për Shqipërinë

19:10 23/06/2016

Pasi i priti në aeroport, kryeministri Edi Rama kishte organizuar një tjetër pritje për djemtë e Kombëtares, teknikun italian si dhe stafin e FSHF-së. Sipas shefit të qeverisë, paraqitjet dinjitoze në Francë, bënë që Europa të ndryshojë perceptim për Shqipërinë.

Rama tha se kuqezinjtë ia arritën qëllimit që të demonstronin aftësitë e tyre në fushën e blertë, por edhe tifozët e shkëlqyer në shkallët e stadiumit, imazhet e të cilëve bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe të mediave botërore.

“Patëm në këtë Europian të parë, një skuadër të vërtetë e një publik të mrekullueshëm që e bëri Francën të ndryshojë në pak ditë perceptimin shumë vjeçar jo aq pozitiv për shqiptarët. I dhuruam mijëra imazhe të bukura Europianit, që bënë xhiron e botë. Ndërsa qershia mbi tortën e festës, vajza që mori më shumë komente në rrjetet sociale, ishte një tifoze kuqezi”, deklaroi Rama.

Nga ana tjetër, trajneri Gianni De Biasi, falënderoi kryeministrin për mbështetjen, ndërsa shprehu dëshirën e tij për të vijuar detyrën si trajner i Shqipërisë.

/tvklan.al

 






Të ngjashme