Rama: Historia ka nevojë të rishkruhet
Meta: Lufta e Vlorës dëshmoi se ky vend ka Zot
100-vjetori i Luftës së Vorës ka bërë bashkë krerët më të lartë të shtetit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, lanë mënjanë debatet politike dhe morën pjesë në ceremoninë e organizuar në sheshin e flamurit në Vlorë.
Duke vlerësuar rolin që luajti kjo luftë në ruajtjen e pavarësisë dhe moscopëtimin e vendit, kreu i shtetit në fjalën e tij theksoi se ajo është dëshmi e faktit se kur populli merr në dorë fatet e veta ato janë të sigurta.
“Dëshmoi se ky vend ka zot, dhe zoti është vetë populli. Model i disiplinuar, atdhetar, dhe njohje të rreptë të ligjeve ndërkombëtarë. Vlora ia ka ngritur kryet Shqipërisë në momentet më të vështira”, tha Meta.
Për kryeministri Edi Rama lufta e 1920-ës është nga më të veçantat, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe atë të luftërave të tjera botërore.
“Është një nga luftërat më të veçanta në historikun e përbotshme të luftërave për nga mundimi i saj”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shprehu gjithashtu nevojën për rishkrimin e historisë nga specialistët e fushës dhe larg ndikimeve politike.
“Pak nga pak njerëzit e kësaj fushe dhe institucionet e kësaj fushe, jo politika, jo qeveria, aas opozita jo e jo, por njerëzit që dinë se çfarë thonë kur flasin për historinë, të mund të ndreqin shumë shtrembërime”, tha Rama.
Gjatë kësaj ceremonie u dekoruan edhe disa figura të shquara të Luftës së Vlorës.
Tv Klan