Rama i përgjigjet ambasadorit Lu: Kelmend Balili do të kapet, ishte i lidhur politikisht
Deklaratave të ambasadorit Donald Lu për moskapjen e Kelmend Balilit si dështim të qeverisë, u është përgjigjur Kryeministri Edi Rama. Në konferencën “Forca e ligjit në veprim: Arritje dhe sfida”, Rama deklaroi se Kelmend Balili është në kërkim dhe kapja e tij herët apo vonë do të konsiderohet një sukses i madh.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Balili, i konsideruar si “Eskobar i Ballkanit”, ka pasur lidhje politike pasi dy vite më parë ishte Drejtor i Transporteve në Sarandë.
“Pa diskutim që arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe sukses i madh. Ishte dy vjet më parë, ishte drejtor i lidhur politikisht. Çuditërisht jo drejtor peshkimi, por drejtor transporti. Sot është në kërkim dhe në bashkëpunim me partnerët, ai do të kapet, edhe pse nuk është e lehtë”,
tha Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi gjithashtu punën e policisë gjatë 5 viteve të fundit. Sipas tij, Policia e Shtetit ka rritur bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese për të luftuar krimin e organizuar. Kryeministri bëri me dije se policët shqiptarë kanë zbritur në terrenet e shteteve të tjera për të bashkëpunuar në luftën ndaj krimit të organizuar, ku janë të përfshirë edhe shtetas shqiptarë. Duke iu drejtuar edhe ambasadorëve të vendeve të huaja të pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri theksoi se bashkëpunimi mes tyre do të japë rezultatet e duhura, ndërsa “hedhja e topit” për përgjegjësitë nuk çon askund.
“Policia e Shtetit e ka garantuar që paprekshmëria e individit në Shqipëri nuk ekziston më. Çështja është që sistemi i drejtësisë të garantojë që paprekshmëria nuk ekziston më. Nuk ka më grupe që në trafiqet e drogërave veprojnë të lokalizuara. Janë të ndërkombëtarizuara. Janë grupe që kanë zanafillën diku dhe e kanë fundin diku tjetër. Është e domosdoshme që u nënvizua nga disa prej ambasadorëve, bashkëpunimi ndërkombëtar, ku tani më Policia e Shtetit është në terren në vende të tjera dhe do të shkojë edhe në të tjera. Sapo është firmosur marrëveshje me qeverinë holandeze. Hedhja e topit te njëri-tjetri nuk na çon larg. Unë e kam refuzuar dhe refuzoj kategorikisht përshkrimin e Shqipërisë që ka specifikë të veçantë për krimin e organizuar”,
u shpreh Kryeministri Edi Rama. /
tvklan.al