Rama inspekton punimet në Tamarë dhe Vermosh


Rama inspekton punimet në Tamarë dhe Vermosh

14:44 17/09/2016

Kryeministri Rama e ka kaluar të premten në malësinë e Kelmentit dhe gjatë kësaj vizite ka inspektuar dhe investimet e qeverisë në kuadër të programit të rilindjes urbane, në rrugën që lidh Koplikun me Tamarën e më pas me skajin më verior të vendit, Vermoshin.

Pjesë e parë e këtij segmenti ka përfunduar se bashku me shetitoren e Tamarës një zonë që po merr vëmendjen e shumë turistëve vendas dhe të huaj këto vitet e fundit.

Qeveria ka nxjerrë 56 milionë euro nga portofoli buxhetor për rikonstruktimin e fasadave të ndërtesave në qendër, çative të tyre, si dhe ndërtimin e shetitores së re, përfshirë ndriçimin dhe mbjedhjen e pemëve. Të gjitha këto investime, sipas Kryeministrit kanë dhënë impakt direkt në turizmin malor të kësaj zone.

“Siç e kemi parë nga ndërhyrjet e bëra deri tani gjatë segmentit që përfunduam dhe ndërhyrja e bërë në Tamarë, impaktin e ka të menjëhershëm me një rritje disafish të fluksit. Shoqëruar kjo edhe me ndërhyrje të tjera, qoftë të shtetit, qoftë nga sipërmarrja private, unë jam i bindur që në harkun e 5 viteve, kjo zonë do të jetë një zonë tërësisht e transformuar në pikëpamje të impaktit në sektorin e turizmit dhe në ekonominë kombëtare. Vit pas viti ka filluar të ndihet që tani, familjet do të fillojnë të marrin frymë ekonomikisht për shkak të fluksit të turistëve”.

Rruga që lidh Tamarën me Vermoshin është ende në proces ndërtimi dhe sipas zbatuesit të projektit mendohet të përfundojë në muajin Tetor.

Ndërsa pasditen e të shtunës kryeministri ishte në Gjegjan të Pukës, ku edhe pse ishte i ftuar për të shpërndarë çertifikata pronësie për tokën bujqësore, u përqendrua tek investimet në infrastrukturë dhe projektin që qeveria ka për rilindjen urbane të Pukës, ndërsa premtoi ndërtimin e rrugës që lidh Gjegjanin me Pukën.

Gjatë takimit kreu i qeverisë është ndërprerë nga njëri prej banorëve mesa duket i pakënaqur me investimet e qeverisë.

Tv Klan






Të ngjashme