Rama: Jemi afër legalizmit të kanabisit për mjekësi
“Kemi avancuar, por nuk jemi në kapitullin e fundit”
Ashtu si Maqedonia, Greqia apo Italia edhe Shqipëria po sheh mundësinë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ka qenë Kryeministri Rama, ai i cili gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Zonë e Lirë” tha se nga ana e qeverisë po shihen të gjitha mundësitë për lejimin e kultivimit vetem qellime mjekesore.
Arian Çani: Thonë që hashashi shëron koronavirusin…mos ka ardhur momenti t’i rikthehemi…?
Edi Rama: Atë pa leje nuk e lejojmë, atë me leje po e studiojmë se të tjerët e kanë bërë.
Arian Çani: Është si ide, apo keni avancuar?
Edi Rama: Jemi shumë të avancuar, por akoma nuk jemi në kapitullin e fundit
Arian Çani: Për legalizimin e hashashit?
Edi Rama: Jo! Për ligjërimin e prodhimit për arsye mjekësore. Sikur e kanë pothuajse të gjithë, disa e kanë më ta hapur, por jo, kaq.
Maqedonia e Veriut është një ndër vendet e Europës që ka legalizuar prej disa vitesh kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe parashikon përfitime deri në 100 milionë euro në vit.
Në Europë, kjo industri po lulëzon edhe në Greqi dhe Portugali, dy vende këto që e kanë zhvilluar këtë industri për të ulur papunësinë dhe për të shtuar të ardhurat në buxhet.
Studimet tregojnë se tregu evropian i kanabisit mjekësor mund të arrije 55 miliardë euro përfitime deri në vitin 2028./tvklan.al