Rama kërkon largimin e ministrave teknikë: Misioni i tyre mbaroi
Pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit, ku Partia Socialiste fitoi e vetme mandatin për të qeverisur vendin, Kryeministri Edi Rama ka folur për qëndrimin në detyrë të ministrave teknikë.
Në një konferencë për shtyp nga Kryeministria, Rama theksoi se nuk është zotuar që do t’i shkarkojë, por pret që të largohen sepse misioni i tyre tashmë ka përfunduar.
“Pres që të largohen sepse nuk ka më arsye që të qëndrojnë, misioni i tyre ka mbaruar me sukses të plotë dhe pres që të largohen”,
u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Zv/Kryeministrja dhe ministrat teknikë të Partisë Demokratike u emëruan në qeveri si pjesë e marrëveshjes Rama-Basha për të garantuar votën e lirë në zgjedhje.
Sipas marrëveshjes, PD mori postin e zv/Kryeministres, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
/tvklan.al