Rama – maturantëve: Vëmendje e durim, fatin e keni në dorë ju!
Mëngjesin e sotëm Kryeministri Edi Rama ka vendosur që ta nisë me një postim në rrjetet sociale drejtuar maturantëve. Teksa thekson se pas 25 vitesh, sistemi i regjistrimit në universitete është i gjithi në dorën e maturantëve, Kryeministri i uron suksese të gjithë atyre që e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre, ndërsa i fton të tjerët që të ndjekin zhvillimet në çdo degë për të përmbushur synimin e tyre.
“Të dashur maturantë, sistemi i regjistrimeve në universitete është për herë të parë pas 25 vjetësh, i gjithi në duart tuaja! Konkurenca dhe merita janë më në fund dhe në transparencë të plotë përpara syve tuaj! Urime e suksese të gjithëve ndër ju që tanimë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe janë regjistruar, ndërkohë që të tjerët mund të ndjekin në kohë reale zhvillimet për çdo degë, për të përmbushur synimin e tyre”
, shkruan Rama.
Sipas kreut të qeverisë, tashmë ka ikur koha e mikut për t’u futur në universtitet dhe gjithçka ndodh në transparencë të plotë. Më tej, Kryeministri thekson se fatin e kanë vetë në dorë të rinjtë dhe u kërkon atyre të bëjnë durim dhe vëmendje për të ndjekur zhvillimet e raundit të dytë.
“Deri dje të gjitha këto zhvillime ndodhnin larg syve dhe kontrollit tuaj, në errësirë të plotë, në dëm të konkurencës e të meritës. Sot ju jeni dëshmitarët e parë të një ndryshimi epokal. Miku, fisi, partia, leku apo shansi qorr, nuk kanë më asnjë fuqi mbi fatin tuaj në këtë proces. Atë e keni në dorë ju! Me vëmendje e durim, ndiqni zhvillimet e raundit të dytë. Mbarësi e suksese!
”, përfundon Rama./tvklan.al