Rama: Mbi 30 mijë punonjës kanë marrë pagën 40 mijë lekë
Paralajmëron punëdhënëssit që nuk kanë aplikuar
Janë mbi 30 mijë punonjës që kanë marrë pagën 40 mijë lekë si ndihmë për shkak të pandemisë. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama, i cili thotë se bëhet fjalë për punonjës që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se janë rreh 25 mijë punëtorë të tjerë që duhet të marrin këtë rrogë. Në këtë mënyrë u bëri një thirrje të gjithë punëdhënëseve që nuk kanë aplikuar ende ta kryejnë këtë procedurë deri në datën 5 Qershor.
“Lajm i mirë: Ka kaluar 30 mijëshin numri i pagave 40 mijë lek të derdhura në llogaritë e punonjësve që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë, si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve. Faleminderit punëdhënësve që reaguan pozitivisht ndaj apelit tonë! Sipas llogarive të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve janë edhe afro 25 mijë të tjerë që duhet të paguajmë, prandaj u kujtoj punëdhënësve që s’kanë aplikuar ende se afati për ta skadon të premten, 5 Qershor, në mesnatë”, shkruan Rama.
Kryeministri paralajmëron gjobë për këtë kategori punëdhënësish. Gjithashtu sqaron punonjësit se nuk do të qëndrojnë pa e marrë 40 mijë lekëshin që u takon.
“Kush nuk do të bëjë aplikimin për punonjësit e vet do të paguajë gjobë, ndërsa të gjithë punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit, nuk do të jenë vetëm! sepse ne do t’u derdhim menjëherë 40 mijë lekët në llogarinë e tyre nga e hëna e ardhshme”, shkruan Rama.
Sipas qeverisë, numri total i personave që përfitojnë tre pagat e luftës apo pagën 40 mijë lekë shkon në rreth 250 mijë persona. Për këtë, Edi Rama thotë se do të bëjë transparencë, pasi në fund do të publikohet lista e pagesave për të gjithë këta persona.
“Në fund e gjithë lista e pagesave për këtë thuajse çerek milionë motra e vëllezër, do të jetë publike, që mos kemi llafe kur i thonë fjalës – po edhe që askush, asnjë person i vetëm të mos mbetet pa marrë atë që i takon, nëse për çfarëdo arsye do të mbetet i papërfshirë”, tha Rama./tvklan.al