Pezullim me kushte i taksës
Mbrëmë Presidenti Thaçi e Kryeministri Haradinaj kanë darkuar bashkë, ku prezent ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeparlamentari Veseli dhe zëvendëskryeministrat Pacolli e Limaj.
Fotografinë fillimisht e ka publikuar djali i Presidentit Thaçi në Instagram, për t’u konfirmuar më pas në Facebook nga Kryeministri Rama.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se te Presidenti ishin për t’ia uruar shtëpinë e re. Veseli ka sqaruar se edhe me Haradinajn edhe me Thaçin janë në kontakt të vazhdueshëm, duke shtuar se nuk do të lejojnë që Serbia të sillet si të dëshirojë tani e tutje me Kosovën.
Ndërsa ka pranuar që janë duke punuar intensivisht rreth çështjes së pezullimit të taksës ndaj produkteve serbe.
Nga zyra e Haradinajt nuk ka pasur asnjë përgjigje. Por një takim ndërmjet Thaçit e Haradinajt ka vazhduar edhe sot, ku ky i fundit e ka pritur në zyrën e tij Thaçin. Presidenti Thaçi ndërkaq ka udhëtuar për në SHBA për të marrë pjesë në ceremoninë e lutjeve të mëngjesit.
TV Klan