Rama mbledh ministrat në Llogara
Vetëm pak orë pasi mësuan që do të jetë pjesë e kabinetit të ri, ministrat e qeverisë “Rama dy” janë mbledhur pasditen e kësaj të hëne në Llogara. Takimi informal që nisi rreth orës 18:00 ka mbajtur larg kamerat dhe gazetarët.
Takimi ka qenë mjaft i rezervuar, por besohet se kryeministri Rama ka shpalosur objektivat që ai ka vendosur për çdonjërin prej të zgjedhurve të tij në qeveri, e në mënyrë të veçantë për Ministritë që kanë pësuar ristrukturime pas reduktimit nga 19 në 11 portofole ministrore si dhe për 2 ministrat e shtetit.
Burimet i thanë Tv Klan se takimi nuk ka pasur një axhendë strikte, por do të diskutohet për shpërndarjen e Ministrive dhe ndryshimet ligjore pas ristrukturimit. Pjesë e diskutime ka qenë edhe hartimi i programit të qeverisë.
Tv Klan mësoi se në takim kanë qenë të pranishëm edhe kryeparlamentari i propozuar Gramoz Ruci dhe kreun i grupit kuvendor Taulant Balla.
Prania e Ruçit dhe Ballës në takimin e ministrave është për shkak të diskutimit të përbërja e kryësisë së grupit parlamentar dhe përcaktimi i drejtuesve dhe përbërjes së komisionve parlamentare.
Ministrat e propozuar kanë parashikuar të zhvillojnë edhe një takim tjetër paraditen e së martës.
Të njëjtin model Rama aplikoi edhe në vitin 2013 menjëherë pasi zytarizoi përbërjen e kabinetit të tij qeveritar. Edhe në atë kohë Rama zgjodhi sërish një hotel në periferi të Vlorës për të mbledhur ministrat e PS dhe LSI në një takim informal sa kohë që qeveria e re nuk ishte dekretuar ende. Tv Klan