Rama mbron ligjin e mbetjeve: E vërteta pse bëhet zhurmë
Pavarësisht ndryshimit të emrit në “ligji Shalsi”, socialistët një ditë më parë kanë rikthyer në fuqi ligjin për importin e mbetjeve të miratuar nga Sali Berisha në 2011, të cilin e kishin hedhur vetë poshtë kur morën pushtetin shtatorin e vitit 2013.
Por këtë ligj, të riun, kryeministri Edi Rama e ka “mbrojtur”. Në një postim në rrjetin social Facebook, shefi i qeverisë thotë se po bëhet zhurmë për të nxjerrë përfitime politike duke trembur njerëzit.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
Zhurma e orkestruar e atyre që duan të nxjerrin përfitime politike duke trembur njerëzit dhe e atyre që nuk duan të dëgjojnë po vetëm të flasin, është edhe këtë herë një thikë e cila u ngulet pabesisht në tru njerëzve që për shkak të tmerreve e poshtërsive që kanë parë apo pësuar në të shkuarën, e dëgjojnë këtë kor zhurmaxhinjsh profesionistë!
Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza, po është vetëm një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për të normalizuar situatën ligjore në lidhje me riciklimin e mbetjeve të listës së gjelbërt të Bashkimit Europian; për të fuqizuar industrinë e lehtë të riciklimit me qëllim rritjen e përpunimit edhe të mbetjeve të vendit.
Dëgjojeni mirë: Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër! Jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë.
Të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit!/tvklan.al