Rama: Meta është në një moment o sot, o kurrë
“Mazhoranca, vendim për t’i dhënë goditjen përfundimtare krimit”
Paketa AntiKÇK e miratuar me akt normativ nga qeveria ka sjellë një moment “o sot, o kurrë” për personat që kanë lidhje me krimin e organizuar sipas Kryeministrit.
Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi këtë të enjte se të njëjtin shqetësim ka edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Shkak sipas kreut të ekzekutivit është bërë fakti sepse e shkuara nuk do të fshihet sa i përket drejtësisë.
“Këtu në vitin 2020 të çohen autoritet publike, por edhe shtetërore si ai që rri në majë të Piramidës dhe kërkon revolucione dhe ta konsiderojnë mëkat të qeverisë, një mëkat aq të madh saqë jepet si prova kuptimplotë dhe përfundimtare e nevojës për ta shporrur këtë qeveri. Po ashtu është në fakt. Të gjithë këta, se unë nuk mund të them që zotrote që fole përpara je i motivuar për të gjitha këto. Nuk kam asnjë arsye ta them këtë jo vetëm sepse nuk të njoh nga vjen, por nuk të kam parë asnjëherë të shfaqur në ndonjë lidhje direkte ose indirekte me këto subjekte, por shumë të tjerë kanë të gjitha arsyet që ta shohin këtë moment në historinë e vendit tonë si një moment o sot o kurrë. Kanë të gjitha arsyet. Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë në një moment o sot, o kurrë sepse sot vija ndarëse mes të shkuarës dhe të ardhmes po bëhet gjithmonë e më pafshirshme me formën e pazareve politike kur vjen puna tek drejtësia”.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Rama deklaroi se mazhoranca ka marrë vendimin për t’i dhënë goditjen përfundimtare krimit të organizuar.
“Sot gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nuk janë më garanci siç kanë qenë për 30 vjet, pro janë dhe do të jenë gjithnjë e më shumë në hallin e tyre sepse sot është marrë një vendim ekstrem nga kjo qeveri, nga kjo mazhorancë për t’i dhënë një dërrmë përfundimtare krimit të organizuar. Unë po ju them kaq, doni apo s’doni ju, të gjithë bashkë sa jeni dhe këtu i drejtohem të gjithë atyre që kanë dalë jashtë kësaj pune, krimin e organizuar ne do ta fusim brenda perimetrit të vet”./tvklan.al