Rama në Vjenë për Samitin e Refugjatëve, flet për hapjen e negociatave dhe mandatin e dytë qeverisës


Rama në Vjenë për Samitin e Refugjatëve, flet për hapjen e negociatave dhe mandatin e dytë qeverisës

15:20 24/09/2016

I ftuar nga Kancelari austriak Christian Kern,  Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në punimet e Samitit “Migrimi përgjatë rrugës ballkanike”, në fokus të së cilit ishte kriza e emigrantëve. Kreu i qeverisë shqiptare, gjatë samitit shprehu gatishmerinë e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e zgjidhjes.

“Jemi gati të marrim pjesë në këtë përpjekje, nëse kjo është e përbashkët, e mirëorganizuar, e koordinuar dhe e ndershme për të gjitha vendet. Shqipëria as mund të çeli kufijtë e të nxjerrë gjoksin përpara, as nuk sillet si disa vende që faktikisht tradhtojnë vlerat e parimet e Bashkimit Europian, kur flasin dhe i qasen çështjes së refugjatëve

.”  

Kreu i qeverisë vlerësoi Samitin edhe si një rast për të dëshmuar reformat e realizuara nga qeveria shqiptare, të cilat do t’i hapnin udhë negociatave me Bashkimin Europian.

“Ishte një rast shumë i mirë për të parë, edhe në sensin e marrëdhënieve tona me të tjerët, forcimin e reputacionit të vendit tonë si një vend ku ka një vullnet të gjithëpranuar botërisht për Reformën në Drejtësi, për luftën kundër krimit, kundër trafiqeve dhe kundër korrupsionit. Kjo ishte nota pozitive për mua dhe shpresoj shumë të marrim atë që na takon mbas gjithë kësaj pune të madhe që kemi bërë, rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, që na fut në një fazë të re gjatë mandatit të dytë të qeverisjes.”

Kryeministri Rama zhvilloi edhe një takim dypalësh në zyrën e Kancelarit, me homologun austriak Christian Kern.

Tv Klan






Të ngjashme