Mbërrin vaksina anti-covid
Rama: Të hënën nis vaksinimi për bluzat e bardha
Mbërrin vaskina anti-covid në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në kuadër të fushatës, “Shqipëria buzëqesh”, Kryeministri Rama njoftoi se të henën do të nisë vaksinimi në vend. Janë 5 mijë persona që pritet të vaksinohen me dozat e para.
Në stadiumin ‘Air Albania’ janë gati 60 pikat ku do të kryhet procesi i vaksinimit kundër koronavirusit. Sipas autoriteteve shëndetësore, minimumi 300 persona pritet të vaksinohen brenda ditës.
Përpara se t’i nënshtrohen vaksinimit, personat e thirrur përmes një liste të planifikuar, do të plotësojnë një formular në prani të mjekëve dhe koordinatorëve pranë pikave të vaksinimit. Më pas personi i vaksinuar do të qëndrojë në karriget pas vaksinimit për të parë nëse vaksina do të ketë efekte anësore.
Më herët nga Durrësi, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se përveç bluzave të bardha të spitaleve covid, edhe ata të urgjencave do të vaksinohen të parët.
“Ajo çka pritet tani është fillimi i vaksinimit dhe ne e kemi thënë do të fillojmë me ata të cilët janë në vijën e parë të kësaj lufte, me mjekët, me infermierët në spitalet COVID, me punonjësit e urgjencave, të cilët janë në frontin e parë dhe po vijojnë këtë betejë me këtë armik të padukshëm”.
Për t’i paraprirë çdo situate, ministrja e Shëndetësisë tha se spitalet rajonale janë në gatishmëri të plotë për përballimin e pandemisë së Covid.
Tv Klan