Rama sulmon Kryebashkiakun çam të Rrogozhinës
Kryeministri Rama ka sulmuar hapur Kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, i propozuar nga PDIU dhe zgjedhur në 2015-ën me votat e koalicionit të majtë.
Por rasti i përfaqësuesit të çamëve, aleatit në qeverisje sipas Ramës është rasti i çdo partie të vogël që e kanë kthyer në sistem shantazhimin për partitë që kanë përgjegjësinë për të qeverisur.
Në një takim me sipërmarrës në Kavajë ku përsëriti arsyet përse e do timonin e qeverisë ta ketë në duart e veta, tha se më bukur se ai është Fatos Nano që shpjegon strategjinë e PS në këtë fushatë, duke e cilësuar një ditë pas takimit 2 orësh që patën në vilat qeveritare në Durrës, paraardhësin e tij një shofer të sprovuar.
Në Kavajë, kryeministri renditi përfitimet që ka patur qyteti nga projektet e Rilindjes Urbane por jo vetëm, atyre që e kanë kthyer atë në një atraksion turistik./ TV KLAN
***
Kryeministri Edi Rama ka vazhduar me sulmet ndaj partive të tjera për zgjedhjet e 25 qershorit, duke kërkuar votën për Partinë Socialiste.
Gjatë një mitingu elektoral në Rrogozhinë, Rama u shpreh se janë disa parti që marrin vota dhe më pas kushtëzojnë votimin e ligjeve në Parlament duke kërkuar drejtori në zyrat e shtetit.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që pavarësisht bindjeve politike, t’i japin PS-së edhe një mandat tjetër qeverisës.
“Marrin votat dhe vijnë në Parlament. Edhe kanë ca numra në Parlament dhe thonë ça do ti. Do të kalojmë ligjin për këtë reformë, edhe thonë unë t’i jap votat e mia po më dhe drejtorin e burgjeve, unë të jap votat e mia po më dhe drejtorin e kuzhinës.
Unë i them dhe socialistëve dhe demokratëve, lërini ndasitë për bindje, të gjithë duhet të shikojmë kush është skuadra që duhet marrë në punë në Shqipëri, kush janë njerëzit që duhen ngarkuar me përgjegjësi për punët”
, tha Kryeministri Edi Rama.
/
tvklan.al