Rama: Nuk humbim kohë për “Zgjedhoren”
“Për detin s’cënoj interesat kombëtare”
Socialistët do të synojnë konsensus të plotë me të dyja opozitat, si atë brenda ashtu dhe atë jashtë Parlamentit, për hartimin e amendimeve të ligjit elektoral të diktuar nga ndryshimet kushtetuese.
Por Edi Rama, në seancën plenare që çeli sesionin e ri parlamentar, e bëri të qartë se për hir të konsensusit nuk do të lejojnë një proces të tejzgjatur duke patur parasysh që data e zgjedhjeve është përcaktuar tashmë dhe koha nuk pret.
“Pa humbur asnjë minutë duhet përmes Komisionit të Ligjeve dhe me përfaqësuesit e të dy palëve të hedhim në letër ato që do të jenë reflektimet e ndryshimeve që bëmë përpara kësaj ndërprerje në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në Kodin Zgjedhor. Nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të punojmë intensivisht me të gjithë fuqitë dhe me të gjithë ekspertët në dispozicion për të garantuar zbatimin e ndryshimeve të bëra bashkarisht. Nga njëra anë për mekanizmin e listave të hapura, ku na duhet të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur me një konsensus të plotë jo vetëm brenda sallës së Parlamentit, por dhe me atë pjesë të opozitës që është jashtë Parlamentit. Por nga ana tjetër duhet të kërkojmë konsensus 100% për një proces të shpejtë. Edhe për të vendosur në Kodin Zgjedhor edhe mekanizmin e koalicioneve parazgjedhore si një subjekt zgjedhor. I vetmi problem për ne lidhur me kërkesën për t’i hapur listat 100% është garantimi i ekuilibrit gjinor të listave. Nëse kjo realizohet me një mekanizëm të besueshëm, atëherë për ne nuk ka asnjë problem. Nëse nuk ka mekanizëm të besueshëm, mos prisni nga ne të hapim listat 100%. Por bashkarisht do të gjejmë një rrugë që të gjitha palët të mund të ndjehen të përfaqësuara në atë që do të jetë produkti përfundimtar, ku asnjë palë nuk mund t’i marrë të gjitha dhe ku çdo palë duhet të pranojë që çka nuk mori vetë, e mori pala tjetër”.
Dy nisma të rëndësishme që thotë se duhet të miratohen brenda këtij sesioni, është ligji për Presidentin e Republikës dhe ligji i njohur si anti-shpifja, të dyja thotë se duhet të bazohen tek rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Shpifja këtu duhet adresuar ligjërisht kur vjen puna te mediat online. Fatmirësisht kemi një raport goxha ndihmues të Komisionit të Venecias dhe mbi atë raport duhet të punojmë bashkarisht dhe ta kalojmë atë ligj këtu në Parlament një orë e më parë sepse shpifja po bën kërdinë përditë. Është koha të shtyjmë përpara edhe draftin e ligjit për Presidentin e Republikës. Ka ardhur koha që të ketë një ligj për Presidentin e Republikës”.
Ju jep pergjigje si akuzave për marrëveshjen për hapësirën detare me Greqinë që ende nuk është hartuar dhe kujton se nuk mund të hiqet paralele me marrëveshjen e firmosur nga paraardhësit që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
“E firmosi Lulzim Basha me buzëqeshjen më të gjatë. Nuk është faji im që disa këtu pretendojnë se fitojnë me Serbinë duke luajtur në ajër. Qesharak ata që përpiqen të mbrojnë detin kush po e merr edhe sikur të duash s’merr dot gjë. Deti aty është nuk ka levizur nuk është dot as deti, as toka, as ajri, një materie që mund të ndahen si tenderat që ndaheshin kur LSI kishte Autoritetin Rrugor Shqiptar”.
Por dhe akuzat për ndërhyrje në dialogun Kosovë-Serbi që sipas tij pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington nxori në pah të vërtetën që ai thotë se kishte thënë me kohë.
“Marrëveshja e Uashingtonit ishte moment shumë i rëndësishëm. Për të kuptuar sa kohë kemi humbur ne si shqiptarë në raport me atë që sjell realisht marrëveshja dhe refuzimi absurd ka sjellë vetëm humbje kohe”.
Ndërsa kryeparlamentari Ruçi në fjalën hapëse vuri një afat të qartë për Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi që të lexohej qartë nga institucionet që kanë në dorë përzgjedhjen e anëtarëve të saj.
“Një objektiv i rëndësishëm do të jetë nxitja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për bërjen funksionale brenda vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese. Nëse do të rezultojë e nevojshme, ne si Kuvend jemi të gatshëm t’i propozojmë Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve ndryshimet përkatëse në zbatim edhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020 për zgjedhjen e emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese“.
Ky sesion që nisi këtë të hënë është i parafundit për këtë legjislaturë. Sesioni i fundit nuk do të zgjasë më shumë se 5 javë pasi Parlamenti do të shpërndahet për të nisur fushata për zgjedhjet parlamentare ku socialistët kërkojnë një mandat të tretë ndërsa demokratët rikthimin në pushtet pas 8 vitesh në opozitë.
Tv Klan