Rama për Kadelin: Nuk gjej fjalë ngushëllimi për fëmijët që pas nënës humbën edhe babanë
Kryeministri Edi Rama ka shprehur keqardhjen e tij për vdekjen e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Lezhës, Gjovalin Kadeli.
“
Miq, kundërshtarë, kolegë, po pavarësisht dallgëve në marrëdhëniet tona, Gjovalini ishte gjithnjë për mua njeriu i admirueshëm për ambicien e tij dhe faktin se nga hiçi, ai u bë me përpjekje e sakrifica të mëdha, një personalitet publik i Lezhës. Me keqardhje thellësisht të sinqertë, mora lajmin për vdekjen e tij dhe nuk gjej fjalë për të ngushëlluar fëmijët që pas nënës humbën edhe babanë… U prehsh në paqe Kadel!
”, shkroi Rama në Facebook.
Në prill të vitit 2013, Kadeli së Bashku me Kastriot Islamin dhe Asllan Dogjanin, ishin tre deputetët e Partisë Socialiste që shmangën rrëzimin e qeverisë Berisha pas përfundimit të koalicionit me LSI-në, e cila kishte deklaruar koalicionin me PS-në.
Vota pro ndryshimeve në Qeverinë Berisha solli që Kadeli të largohej nga Partia Socialiste për në Partinë Demokratike, nga radhët e së cilës u zgjodh deputet i Lezhës, por më pas kaloi në radhët e LSI-së.
Megjithëse ka pasur një marrëdhënie me ulje-ngritje, Rama e kujton Kadelin si “njeriu i admirueshëm për ambicien e tij”.
Kadeli ndërroi jetë sot në një spital në Itali, ku po kurohej për një sëmundje të rëndë që prej datës 30 Mars.
53-vjeçari ishte deputet i Lezhës në Kuvendin e Shqipërisë gjatë dy legjislaturave të fundit.
/tvklan.al