Rama për “ZDF”: Shqipëria, strehë për njerëzit në rrezik


Rama për “ZDF”: Shqipëria, strehë për njerëzit në rrezik

16:00 22/07/2018

Strehimi i refugjatëve nga zonat e luftës nuk është një çështje e mbyllur për Shqipërinë. Kryeministri Rama bën diferencën kur thotë se dera për njerëzit në rrezik do të jetë gjithmonë e hapur, kjo në përputhje me mundësitë që ka vendi ynë për të pritur emigrantë. Në një intervistë për televizionin gjerman “ZDF”, Rama sjell si shembull eksperiencën që Shqipëria ka patur me refugjatët në luftën e Kosovës.

“Ne nuk do të jemi asnjëherë pjesë e ndonjë plani ku refugjatët do të trajtohen si njerëz të infektuar. Ne nuk jemi në Bashkimin Europian, por duhet të jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë. As më shumë dhe as më pak. kemi pasur më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Kosova. Në ditët e sotme, ne kemi mirëpritur disa qindra refugjatë nga Irani, refugjatë politikë. Shqipëria është vendi ku njerëzit në rrezik gjithmonë gjejnë strehë. Ne jemi gjithashtu një vend që përfiton nga mikpritja në Gjermani, në Itali dhe Greqi, në Europë dhe Amerikë. Pra, shqiptarët asnjëherë nuk i kanë konsideruar refugjatët si rrezik apo si diçka që duhet shmangur.”

Jo shumë entuziast me situatën ku ndodhet Europa sot, Edi Rama thotë se qeveria e tij po bën përpjekjet që i takojnë për të avancuar me përgatitjet që kërkon  hapja e negociatave në qershor të vitit të ardhshëm.

“Ne jetojmë në një situatë që përsëri përkufizohet nga “mallkimi i Ballkanit”. Kur ne ishim në formën më të keqe, Europa ishte në formën e saj më të mirë. Tani që ne jemi në forme të mirë, nuk është Europa mirë. Pra, në mes të kësaj sinergjie, ne vazhdojmë të përpiqemi dhe të punojmë. Ne kemi bërë shumë progres. Tani ne kemi edhe një afat për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Dhe na duhet të përpiqemi dhe ta arrijmë.”

Vëmendjen e të huajve e tërheqin ende fasadat shumëngjyrëshe nga koha që ai ishte kryebashkiak. Diçka që sipas tij nuk lidhet thjesht dhe vetëm me pasionin e tij për vizatimin, por me bindjen se bukuria mund të bëjë atë që nuk mund ta bëjnë mijëra policë edhe ndaj kriminalitetit apo sjelljes së keqe në vend publik.

Tv Klan






Të ngjashme