Rama, përgjigje opozitës për pasojat e pandemisë në ekonomi
“Vetëm vendet që kanë vijuar investimet e përballojnë situatën”
Kryeministri pa modesti flet me bindje se Shqipëria falë politikave të ndërmarra nga qeveria e tij e ka përballuar me dinjitet krizën globale që ka shkaktuar pandemia.
E duke kundërshtuar opozitën dhe kritikët e buxhetit të 2021 ai thotë se vëmendja tek investimet është e vetmja mënyrë që ekonomia të mos rrëshqasë në kolaps dhe papunësia të rritet.
“I bien fyellit në një vrimë…vetëm vendet që kanë vijuar investimet po përballojnë këtë situatë”.
Një pjesë e investimeve është përqëndruar tek infrastruktura rrugore dy akse të nisura e që janë inspektuar nga Kryeministri janë në Qarkun e Elbasanit. Një është ajo që lidh Elbasanin me Labinot Malin dhe tjetra një aks nacional që brenda 12 muajve do të lidhë Librazhdin me Dibrën.
Në Elbasan, Rama inspektoi dhe gjimnazin e rindërtuar ‘Ibrahim Muça’ si dhe ambientet e reja të Postës së kësaj bashkie, ku u prezantua dhe oferta më e re e Postës Shqiptare, ‘Portofoli Elektronik’, që i jep mundësi qytetarëve të kryejnë mbi 36 shërbime vetëm online.
Tv Klan