Rama: Reformë në qeveri e administratë


Rama: Reformë në qeveri e administratë

12:00 14/07/2017 https://youtu.be/TAdTPWJuOKY

Kryeministri Rama paralajmëroi një reformë të thellë qeverisëse si dhe ristrukturim të administratës shtetërore. Nga turi i dëgjesave në Librazhd, Rama u premtoi banorëve të fshatit Polis se bashkëqeverisja me qytetarët nuk do të kursejë asnjë burokrat, qoftë ky edhe zyrtar socialist.

“Nuk janë të pakët zyrtarët e shtetit qe fshihen pas flamurit të PS për t’iu rënë njerëzve me shkopin e flamurit, do reformojmë thellësisht strukturën e qeveris, do bëjmë shkurtime të degëve parazite të administratës dhe do bëjmë çmos të lehtësojmë burokracinë ka shumë letra e licenca”, tha Rama.

Rama mohoi që raporti i denoncimeve nga qytetarët të ishte një listë e zezë dhe as metodë për t’i bërë presion administratës.

“U bë nami për atë listë, janë komentet e njerëzve nuk është listë për t’i dënuar as për t’i ndjekur administrativisht por i kanë përmendur njerëzit që i kanë komentuar, por mekanizmi ynë s’do jetë ky, por secili do dalë me një identitet, me numër telefono dhe i dalë për zot që te Hipoteka më kanë penguar, atëherë qeveria duhet të garantoje që padrejtësia të vihet në vend dhe të iki në shtëpi ose në burg se kjo nuk vazhdon dot me kështu”,

theksoi Kryeministri.

Pas kësaj reforme ku kërkon të qeverisë me qytetarët për të bërë shtet, Rama nuk surprizohet aspak nga furtuna mediatike që thotë se e pret.

“Do jetë luftë dhe kazani mediatik do ziejë për liritë kushtetuese, do thotë iku demokracia. Që ta fitojmë këtë luftë do e bëjme me popullin, kemi marrë votat që tepsinë ta çojmë për skrap”,

u shpreh Rama.

Kryeministri tha se kjo formë e re qeverisëse nuk është fushatë post elektorale, por një koalicion me njerëzit e zakonshëm për të vijuar me reformat dhe projektet katër vitet në vijim. TV KLAN






Të ngjashme