Rama: S’largohem nga qeveria se do opozita


Rama: S’largohem nga qeveria se do opozita

15:40 29/05/2018

Dorëheqjen për shkak se opozita e kërkon duke protestuar, Kryeministri Edi Rama nuk e sheh si një opsion që mund t’i marrë kohë për ta menduar. Në një intervistë dhënë për

France 24

gjatë qëndrimit në Paris ku ndodhet që prej pasdites të së hënës, Rama e sheh si funksionim demokratik të brendshëm politik protestën e opozitës dhe kërkesat e saj në të njëjtën kohë që qeveria vazhdon të rri në drejtimin e punëve të vendit.

“Mendoj se nuk është një lajm për botën, është jeta demokratike e vendit, ku ka një opozitë që proteston dhe një qeveri që qeveris. Pra, kjo është e gjitha. Ata kërkojnë dorëheqjen tuaj, ju nuk keni ndërmend të largoheni. Kërkesa për largimin e kryeministrit në Shqipëri bëhen gjithmonë, duke marrë parasysh që jemi në demokraci, kjo është normale. Por, përse kjo kërkesë po bëhet këtë herë, ata po e kërkojnë hapur, po akuzojnë ministrin e Brendshëm se po mbron vëllain e tij, i cili është dënuar në mungesë për trafik droge. Çfarë po ndodh? Kur flas në gjuhë të huaj nuk flas asnjëherë për opozitën. Është diçka mes nesh. Ju thatë se është jeta demokratike dhe se ju nuk do të jepni dorëheqjen. Përse? Sepse ju keni këtu manifestime shumë më të mëdha dhe kjo është jeta demokratike e vendit dhe kjo është normale, apo jo?”

Sipas Ramës, një nga arsyet pse Shqipëria mori rekomandimin pa kushte nga KE për çeljen e negociatave është dhe rezultati në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës. Vendimin e Këshillit të muajin Qershor, Rama se sheh si një mundësi që Shqipëria të marrë më shumë mbështetje financiare nga Unioni, por si mbështetje për të vijuar me reformat.

“Pikërisht, ne kemi rezultate të shkëlqyera, sepse po të mos kishim rezultate, Komisioni Europian nuk do të rekomandonte hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë dhe në të njëjtën kohë jemi shumë të ndërgjegjshëm se duhet të bëjmë më shumë, sepse nuk jemi duke trokitur në derën e BE-së për t’u bërë anëtarë, por jemi duke përgatitur hapjen e negociatave dhe kjo do të kërkojë vite për të vënë në zbatim të gjitha reformat e nevojshme për të vazhduar dhe për të vënë në zbatim të gjitha ligjet. Është një progres në vazhdim. 

Por, sot nuk bëhet fjalë për zgjerimin e Europës, por për të vazhduar në të njëjtën linjë me presidentin juaj, pra, në njërën anë një thellim i Unionit përpara se të zgjerohet dhe nga ana tjetër një forcim me vendet e Ballkanit përpara se të bëhemi anëtarë, që do të thotë nuk duam paratë e Europës. Negociatat nuk i kushtojnë asnjë cent Europës. Ato janë vetëm një autorizim për të vazhduar reformat dhe inspektimet për të parë nëse reformat janë kryer si duhet”.

I pyetur për financimet turke dhe influencën në rritje të Turqisë në Shqipëri, Rama thotë se i mirëpret investimet nga çdo vend. Ai pranon marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, por thotë se orientimi që udhëheq Shqipërinë është Europa.

“Një pyetje e fundit, për presidentit turk Erdogan, i cili deklaroi në një interviste se ka investuar tre miliardë euro në Shqipëri, bëhet fjalë për ndërtimin e një aeroporti turistik në Vlorë. Ju e mbështesni këtë projekt? Bëhet fjalë veçanërisht për një bashkëpunim prej  30 vjetësh, jo për 3 miliardë euro, dhe si në çdo vend, jemi të lirë të bëjmë biznes, ka ndërmarrje që janë europiane, turke, kineze. Ato janë të gjitha të mirëpritura në Shqipëri? Po, të gjitha të mirëpritura në Shqipëri. Dhe, sipas mendimit tuaj, Erdogani nuk po përpiqet të rrisë influencën e tij veçanërisht në Ballkan? Turqia mban marrëdhënie miqësore me Shqipërinë që prej shumë kohësh. Por, Shqipëria është një vend tërësisht i orientuar drejt Bashkimit Europian, është një vend me myslimanë dhe të krishterë, por feja e tyre aktuale është Europa”.

Largimin e të rinj drejt Europës, Kryeministri shqiptar nuk e sheh si shqetësues pasi sipas tij, por sipas tij, historia ka treguar se emigracioni ndryshoi dhe vetë vendet e Unionit, që për shkak të këtyre lëvizjeve u pasua jo vetëm ekonomikisht dhe kulturalisht.

Tv Klan






Të ngjashme