Rama takohet me eurokomisionerin: BE e kupton situatën, ndihma do të vijë
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komisionerin e ri europian për Menazhimin e Krizave, Janez Lenarčič. Temë e diskutimeve ishin pasojat e tërmetit dhe nevojat e qeverisë shqiptare për të kaluar krizën pas tërmeteve.
Eurokomisioneri e pyeti Ramën se cili është shqetësimi kryesor që qeveria do të zgjidhë pas përfundimit të fazës së kërkim-shpëtimit. Kreu i qeverisë sonë theksoi se dëshirojnë një tranzicion të qetë për personat që tashmë kanë ngelur të pastrehë pasi rindërtimi kërkon kohë.
Ai i ndau në dy kategori njerëzit që janë në nevojë, ata që banojnë në zonat urbane dhe ata që banojnë në zonat rurale. Për të parët, kreu i qeverisë tha se kanë gjetur zgjidhje duke i strehuar në hotele. Për kategorinë e dytë kërkoi më shumë çadra dimërore pasi njerëzit që jetojnë në fshat nuk mund të largohen nga tokat dhe bagëtitë.
“Dëshirojmë një tranzicion të qetë për personat e pastrehë, pasi rindërtimi kërkon kohë. Kemi dy kategori njerëzish në nevojë. Ata që jetojnë në zonat urbane dhe ata në zonat rurale. Në zonat urbane zgjidhja jonë ka qenë strehimi në hotele. Kemi bërë marrëveshje për t’i paguar ato në bazë kostosh. Por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht. Synimi ynë është që personat të qëndrojnë aty edhe për festat e fundvitit dhe në Janar të fillojmë t’i lëvizim nga hotele në apartamente që do të merren me qira nga ne dhe në të njëjtën kohë të punohet për rindërtimin e banesave të tyre. Atyre që janë në fshat nuk mund t’u them lëreni tokën dhe hajdeni në hotel se e kanë të lidhur ditën me tokën dhe bagëtinë. Ata kanë nevojë për çadra. Falë Luigi-t kanë ardhur çadrat dhe janë fantastike dhe kanë minimalen që të mos ndihen në qiell të hapur. Ky do ishte një tranzicion i mirë ndërkohë që të na linte kohë të merreshim me rindërtimin. E mira do ishte të kishim një fond të integruar. Ka organizata dhe shtete që thonë, unë do të vij, por dua të ndërtoj kaq banesa. Nuk mund të jetë kështu pasi krijon konfuzion, standarde të ndryshme etj. Sot kemi miratuar buxhetin, kemi bërë një përpjekje të madhe që të vendosim një pjesë të madhe për rindërtimin. Pas miratimit në parlament ju premtoj që Luigi do të ketë të gjitha hollësitë”, tha Rama.
Eurokomisioneri Lenarčič theksoi se Bashkimi Europian e kupton që Shqipëria ka nevojë për ndihmë dhe kjo ndihmë do të vijë.
“E kuptojmë tërësisht dhe ajo që kemi parë edhe nga bisedat që ke bërë nga Von Der Leyen. BE e kupton që Shqipëria ka nevojë për ndihmë dhe kjo ndihmë do të vijë. Është e rëndësishme që të kalojmë këto faza. Ishte e rëndësishme që të kuptoja gjënë e çadrave sepse është e kuptueshme për zonat rurale. Ka reagim edhe për këtë çështje. Pastaj ne presim me padurim pjesën e vlerësimit të dëmeve”, tha Lenarčič./tvklan.al