Rama takohet me Sekretarin gjerman të Shtetit
OSBE-ja do të mbledhë ditën e sotme Këshillin e Përhershëm për të diskutuar në lidhje me krizën politike në Bjellorusi. Pjesë e këtij takimi është edhe kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të OSBE-së duke qenë se Shqipëria është në drejtimin e organizatës.
Kreu i qeverisë sonë është takuar ditën e sotme me Sekretarin e Shtetit të Gjermanisë, Miguel Bergeer.
Kujtojmë që mbrëmjen e së enjtes kreu i qeverisë diskutoi për çështjen e Bjellorusisë edhe me Zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Stephen Biegun.
Ndërkohë gjatë një komunikimi me TV Klan, Rama sqaroi se roli i OSBE-së në këtë krizë nuk do të jetë ndërmjetësues, por lehtësues i komunikimit mes qeverisë dhe opozitës.
“Kjo është përpjekje e OSBE. Mua më vjen mirë që nisma jonë mori vëmendje të tillë dhe mori mbështetje kaq të madhe. Është përgjegjësi shumë e madhe, por edhe që shkon në drejtim të një procesi ku OSBE nuk do të jetë ndërmjetëse apo negociatore, por do të jetë lehtësuese e një procesi komunikimi mes palëve që mungon plotësisht dhe që është i domosdoshëm në Bjellorusi”, u shpreh Rama./tvklan.al