Rama: Thaçi ka mbështetjen e të gjithë Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe largimit të tij nga posti i Presidentit të Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai shkruan se procesi ndaj Thaçit është absurd, por që do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së. Megjithatë, kreu i qeverisë shprehet se Thaçi ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e Shqipërisë.
“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, shkruan Rama.
Më 24 Qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 Prill i kishte dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Në Korrik, Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku foli për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale./tvklan.al
Hashim Thaçi ka gjjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj🇦🇱🇽🇰
— Edi Rama (@ediramaal) November 5, 2020