Rama tregon kur do të nisë vaksinimi në Shqipëri
Vaksinimi kundër Covid-19 në vendin tonë do të nisë brenda dy muajve të parë të vitit të ardhshëm. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.
“Kam folur për 2 muajt e parë të vitit të ardhshëm, nuk dua të jap më shumë të dhëna sot, sepse nuk janë të konfirmuara 100 përqind. Kështu që mund të jetë edhe më shpejt, mund të jetë edhe pak më vonë, por brenda 2 muajve të parë të vitit të ardhshëm këtu do të fillojë vaksinimi dhe pastaj nuk do të kemi asnjë problem, sepse kalendari i ardhjes së dozave është një kalendar me volume që rriten”.
Kryeministri tha se mes shteteve po bëhet një luftë e madhe për të marrë sa më shumë vaksina, njësoj siç bëhej dikur me radhën e qumështit.
“Ajo që dua të theksoj është se për fat të keq edhe në çështjen e vaksinës është më shumë se kurrë diplomaci, marrëdhënie personale, miqësi, komunikime, kontakte, domethënë është realisht një luftë e madhe që po bëhet sot prapa kuintave nga të gjitha shtetet për të mundur të kenë sasi sa më të mëdha dhe është realisht si radha e qumështit si kohët e dikurshme, ku në vend të banorëve që zbrisni poshtë pallatit dhe vinin shishet atje, janë shtetet”.
Rama tha më tej se sasia e vaksinave për fazën e parë është shumë më e vogël sesa pritshmëritë e vendeve, ndërsa vendimin e Bashkimit Europian, që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin sasitë që teprojnë, e quajti një vendim për të ardhur keq.
“Shifrat e vaksinave që po marrin vendet e mëdha krahasuar me pritshmëritë e tyre janë jashtëzakonisht më të ulëta. Problemi është që kërkesa është eksponencialisht më e lartë sesa oferta dhe sasia e prodhimit është ku e ku më e vogël, sesa nevoja. Ky është një problem i madh në fazën e parë, sepse ndërkohë kompanitë po shtojnë sasitë e prodhimit. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna dhe unë jam shumë besimplotë. Ndërkohë jemi në komunikim edhe me disa shtete mike, pasi siç e dini, BE ka marrë një vendim në këndvështrimin tim, goxha për të ardhur keq, por kështu e ka marrë, që për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jepen tepricat. Këtu nuk ka teprica faktikisht. Këtu ka një problem të madh për çdo vend, sepse ka më pak, shumë më pak se ç’kishim planifikuar”.
Megjithatë Rama siguroi shqiptarët se nuk do të mbeten pa marrë vaksinën.
“Por unë i them të gjithëve që të jenë të qetë, sepse siç e ke kemi treguar edhe më parë, kur është puna për të bërë lypësin për Shqipërinë, besoj se dimë ta bëjmë më mirë se çdokush tjetër”./tvklan.al