Rama uron Zaevin, thekson rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit


Rama uron Zaevin, thekson rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

18:50 16/06/2017

Është zbardhur letra e urimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama për homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, ku i kujton rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit për përparimin dhe begatinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Letra e urimit, e cila mban datën 1 qershor, i është dorëzuar kryeministrit të ri të Maqedonisë nga ana e Ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka.

“Kam bindjen se ndaj me ju vlerësimin se shqiptarët e Maqedonisë janë bartës dhe kontribuues të drejtpërdrejtë të vlerave të bashkëjetesës dhe të perspektivës euroatlantike të vendit”

, i shkruan Rama homologut maqedonas.

“Prandaj, unë besoj fort se jetësimi i programit ambicioz të qeverisë Tuaj, si dhe zbatimi në frymë e në germë i Marrëveshjes së Ohrit do të garantojë përparimin dhe begatinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, do t’i shërbejë në mënyrë të drejtpërdrejtë forcimit të gjithanshëm të kohezionit social dhe karakterit shumetnik e kulturor të vendit, në të mirë të avancimit të mëtejshëm të të drejtave, lirive dhe mundësive të barabarta për të gjithë, në përputhje me angazhimet dhe detyrimet ndërkombëtare”

, shtoi Rama.

Kryeministri shqiptar i kujtoi homologut të ri maqedonas se

“Shqipëria mbetet një vend mik dhe partner i palëkundur i Maqedonisë dhe do të vijojë të mbështesë dhe të kontribuojë si deri më tani në zhvillimin dhe forcimin e një Maqedonie demokratike, shumetnike, të integruar në BE dhe NATO.”/tvklan.al






Të ngjashme