Rama vijon turin në veri: Rilindja urbane kthen Pukën në destinacion turistik


Rama vijon turin në veri: Rilindja urbane kthen Pukën në destinacion turistik

15:25 18/09/2016

Gjatë vizitës së tij në veri të vendit, Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për rehabilitimin e sistemit të kullimit në fshatin Kukël të Shkodrës.

Kreu i qeverisë tha se sistemi i ujitjes dhe kullimit është një ndër projektet më madhore për bujqësinë dhe fshatin përmes të cilit synohet nxjerrja e mijëra hektarëve tokë bujqësore nga harta e përmbytjeve.

Deri më tani tha Rama 11 mijë hektarë tokë bujqësore në fshatrat e Lezhës, Vaut të Dejës dhe Shkodrës i janë rikthyer kullimit, si pjesë e një projekti të nisur në mbarë vendin.

Kryeministri Edi Rama:

Impakti që po krijon gjithë ky program i pastrimit të kanaleve është i ndjeshëm. Por kudo është e njëjta histori, që po futen në ujë, po hapen hapësira për punë në bujqësi, me mijëra hektarë vetëm nga uji dhe ndërkohë mbrohen sepse janë të kanalizuar. Por unë jam i bindur që deri për sezonin e ardhshëm, ne do ta mbyllim gjithë këtë skemë e do t’i kemi gjithë parcelat nën ujë. Dhe këtë fazën tjetër të projektit do ta garantojmë patjetër, sepse ky është një aks që nuk është vetëm thjesht puna për të vaditur një pjesë tokash, por dhe për të garantuar përfundimisht që mos ketë përmbytje dhe histori të tilla, që kanë ardhur nga bllokimi i këtij aksi

Puka ishte një tjetër ndalesë e kreut të qeverisë. Kryeministri u ndal në hyrje të qytetit, në Lufi, ku pa nga afër punimet e nisura për transformimin e zonës, si pasojë e rikualifikimit urban, duke nisur me restaurimin e ndërtesave. Rama tha se qeveria synon që ta kthejë këtë Pukën në një prej destinacioneve turistike në veri të vendit.

Kryeministri Edi Rama: 

Puka në një hark prej 5 vitesh do jetë një qytet vërtet cilësor turistik. Një destinacion turistik, sepse nuk është një qytet ku ti kalon për të shkuar diku, por është një qytet ku ti duhet të vish enkas. E që të vish enkas në Pukë ka qenë diçka krejtësisht e paimagjinueshme, sepse infrastruktura shumë e keqe, qyteti i braktisur, ndërkohë që me këto ndërhyrje që po bëhen dhe me shfrytëzimin e potencialeve natyrore që janë të jashtëzakonshme, jam i bindur që do të ndërtojmë një zonë të mirëfilltë turistike të Shqipërisë. Ashtu siç po ndodh me Malësinë e Madhe, do ndodhi dhe me Pukën, ku do të ketë nxitje të punësimit familjar nëpërmjet turizmit dhe një rritje të prodhimit bujqësor në funksion të turizmit në këtë zone.

” Projekti i rilindjes urbane për Pukën parashikon një investim rreth 115 milionë lekësh. / TV KLAN






Të ngjashme