Rama e Vuçiç debat për Kosovën në Beograd


Rama e Vuçiç debat për Kosovën në Beograd

15:10 13/10/2016

Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, integrimi në BE apo dhe çështja e minierës së Trepçës ishin pikat më të nxehta të debateve mes Kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçic, gjatë Forumit të katërt për Sigurinë në Beograd. Në fillim, Kryemnistri serb u ankua se Bashkimi Evropian po bënte shumë presion për Kosovën, por kreu i qeverisë shqiptare i sugjeroi që zgjidhja më e mirë është njohja e saj.

 

“Serbia ka probleme me integritetin territorial dhe ky problem trajtohet ndryshe nga BE-ja dhe nga ne. Unë them që me pasion do të vazhdojmë dialogun sepse është parakusht për zhvillimin ekonomik të një rajoni të tërë. E di që ka shumë njerëz në Serbi që nuk e kuptojnë atë që po them tani, që do të thonë se jam mik i shqiptarëve, por them që nuk do të jetë e lehtë për të gjetur më shumë kompromise”,

tha Vuçiç.

“Për Kosovën nuk biem dakord fare. Unë them se sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën, aq më mirë për të gjithë. Por, ka një proces që unë e mbështes: dialogu Prishtinë-Beograd. E përgëzoj përpjekjen e Aleksandar Vuçiç për të parë në të ardhmen, por nuk duhet të harrojmë se kur bëjmë dialog nuk flasim për historinë apo për patriarkun, por për popullin”,

u shpreh Rama.

Dy krerët e qeverive kanë shprehur qëndrime të ndryshme edhe për marrëdhëniet me Perëndimin dhe Rusinë. Nëse sipas Ramës, Shqipëria është e vendosur për rrugën e vetme drejt BE – së Vuçiç këmbëngul se nëse BE nuk e pranon Serbinë, atëherë zgjedhje mbetet Rusia.

“Mendoj se jemi në një situatë ndryshe krahasuar me Serbinë, kur vjen fjala për integrimin sepse nuk jemi mes dy dashurive të mundshme, kemi vetëm një dhe ai është drejt Perëndimit dhe kjo ndihet e tillë”, 

tha më tej Rama.

“Nuk kemi dy dashuri, kemi një dhe ajo është Serbia. Qëllimi ynë nuk është fjali politike, por rruga në BE dhe çka disa njerëz janë përpjekur ta bëjnë me Serbinë. Shumë njerëz duhet ta respektojnë qëndrimin e sinqertë të Serbisë sepse po themi se duam të ruajmë marrëdhënie me Rusinë e nuk gënjejmë, por qëllimi ynë strategjik është rruga drejt BE për Serbinë”, u shpreh Vuçiç.

Replika janë shkëmbyer edhe për minierën e Trepçës.

“Trepça është një minierë në Kosovë dhe ju çfarë bëni? Do e transportoni në Beograd?  Kjo ka të bëjë

 me ekonominë. Ajo minierë i përket qytetarëve të Kosovës. Kjo ka të bëjë me ekonominë”, 

tha Rama.

“Është politikan më i mirë se unë, shfrytëzoi momentin. Unë nuk thashë asgjë të keqe për homologët tanë nga Prishtina, por do shpjegoj diçka për Trepçën, them se di më shumë se Edi. Nëse thotë se është çështje ekonomie, Prishtina bëri lëvizjen më të keqe për zhvillimin e saj. Nuk folën fare me serbët atje, por vazhduan procedurat dhe i shmangën ata”,

u shpreh Vuçiç.

Nuk kanë munguar batutat edhe për Angela Merkel apo Donald Trump.

Mes kryeministrave Rama dhe Vuçiç ka pasur edhe një takim dypalësh ku është biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe integrimin e Ballkanit.

Tv Klan






Të ngjashme