Rama: Zgjerimi, mund të kërkojë kohë
“Ballkani i hapur nuk rrezikon procesin e Berlinit”
Kritikat ndaj zvarritjes së procesit të zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama nuk i kurseu edhe pas kthimit nga Samiti i Bërdos. Të njëjtin qëndrim, sikundër përpara liderëve të BE-së, kryeministri e mbajti edhe nga Forumi i ndërlidhjes infrastrukturore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës, ku tha se rajoni duhet të mbështetet më tej në procesin e transformimit.
“Zgjerimi është përherë e më pak një fjalë që përdoret me pasionin dhe vullnetin më të cilin përdorej vite më parë dhe nuk ka dyshim që procesi mund të kërkojë shumë kohë. Në të njëjtën kohë është shumë e qartë se Ballkani Perëndimor është një realitet i rëndësishëm për BE, dhe kjo është një arsye se pse disa vende skeptike janë më të hapura ndaj idesë për të nxitur sa më shumë brenda afatit të shkurtër që ka mbetur në trysni nga vendet e BE për shkak të populizmit të së djathtës ekstreme”.
I bindur se ky proces do të kërkojë kohë, Rama tha se e rruga e duhur që vendet e rajonit të ecin përpara është “Ballkani i Hapur”, proces që sipas kryeministrit nuk rrëzon aspak atë të Berlinit.
“Unë vazhdoj të këmbëngul se përmes Ballkanit të Hapur do kemi një mekanizëm shtesë, me efikas për të nxitur kapacitete që kemi për të bërë më shumë në këtë drejtim. Ka diskutime konfuze për procesin e Berlinit, për mua është e qartë që Ballkani i Hapur është frymëzuar nga procesi i Berlinit, Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të procesit të Berlinit, është gjithëpërfshirës, i hapur për përmirësime dhe absolutisht nuk e rrëzon këtë proces”.
E në funksion të Ballkanit të hapur Kryeministri foli për projekte konkrete.
“Së fundmi presim të fillojë hekurudha Tiranë-Durrës, që ka qenë një proces i gjatë me Berzhin , na duhet që ta lidhim atë me Malin e Zi sepse në të kundërt sa kuptim, lidhja e Durrësin me Hanin e Hotit dhe Malin e Zi do nxisë tregtinë. Presim paralelisht që të punojmë edhe për hekurudhën tjetër Durrës- Prishtinë që më pas të lidhet me Nishin dhe së treti segmenti mes Durrësit dhe Maqedonisë e Veriut, që sërish do jetë kuptimplote për rajonin dhe do jetë shumë i rëndësishëm për punën që kemi nis për portin tregtar të Durrësit”.
Ndërkohë në një intervistë për Der Spiegel, kryeministri Rama tha se me Bashkimin Europian nuk kishte zhgënjim, por tashmë shqiptarët e kanë kuptuar se si funksionon BE.
“Nuk jemi të zhgënjyer, por jemi bërë më realistë. Ne e kemi idealizuar BE-në, ne vazhdojmë të jemi një ndër vendet më pro europiane në kontinent. Por, sot e dimë më mirë se si funksionon BE-ja. Ne mësojmë nga Europa si të ndërtojmë një shtet transparent dhe demokratik. Europa zotëron dijen dhe na e siguron këtë. Edhe kjo është një vlerë në vetvete. Anëtarësimi të ndodhë kur të ndodhë”.
Në të njëjtën intervistë, Rama shprehu vlerësimet për presidentin francez duke e quajtur një politikan të ndershëm, ndërsa tha se Merkel do t’i mungojë Ballkanit sepse ajo kishte një vizion për të.
Tv Klan