Raport “përvëlues” për Trump
Një nga avokatët e Presidentit amerikan paralajmëron se raporti përfundimtar i prokurorit special Robert Muller për ndikimin e Rusisë në zgjedhje mund të jetë fatal për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Alan Dershovic tha gjatë një debati televiziv se ekipi i Presidentit është duke përgatitur mbrojtjen.
“Besoj se raporti do të jetë shpartallues për Presidentin dhe di që ekipi i tij po punon aktualisht për një përgjigje për raportin”.
Megjithatë sipas avokatit gjasat janë të pakta që dokumenti Muller të bëhet shkak për ngritjen e akuzave penale. Raporti është drejt përfundimit, pasi javën e kaluar Donald Trump i dërgoi prokurorit Muller edhe përgjigjet me shkrim për pyetjet që iu dërguan si pjesë e hetimit.
Prokurori special po heton prej Majit të vitit të kaluar mbi dyshimet se Donald Tramp është ndihmuar nga Moska për t’u zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 2016-ës. Ekipi i Mullerit ka vënë nën hetim 32 persona mes të cilëve edhe Paul Manafort, ish-drejtuesi i stafit elektoral të Trumpit.
Tv Klan