Raporti sekret italo-gjerman, PD: Rama në krye të biznesit të drogës
Partia Demokratike thotë se sipas një raporti sekret të shërbimeve italiane dhe atyre gjermane, të publikuar në media, konfirmohen denoncimet e opozitës për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë së shtetit, në kultivimin dhe menaxhimin e lëndëve narkotike.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, tha se raporti secret fakton se e gjithë Shqipëria është kthyer në fermën e madhe të hashashit të Kryeministrit Rama.
Nga ky biznes kriminal, sipas demokratëve përfiton kreu i qeverisë që sëbashku me Drejtuesit e Policisë është i lidhur me bandat e narkotrafikut.
Deklarata e plotë e Enkelejd Alibeaj
Raporti sekret i shërbimeve italiane dhe gjermane i publikuar në media, konfirmon denoncimet e përditshme të Partisë Demokratike dhe thekson se njerëzit e Edi Ramës në Policinë e Shtetit, janë menaxherët e kanabisit dhe vjelin taksën 30 përqind për çdo rrënjë të mbjellë.
Raporti sekret dëshmon se e gjithë Shqipëria është kthyer në fermën e madhe të hashashit të Edi Ramës.
Njerëzit e tij të besuar që janë drejtuesit e Policisë në çdo qark, si Nallbati në Fier, Jeart Cela në Vlorë, Lleshi në Berat, Cullhaj në Durrës, Lenja në Lezhë, Targaj në Dibër, Alban Cela në Shkodër, Hodaj në Tiranë, Arapi në Gjirokastër, Zyberi në Korçë, të gjithë drejtuesit, shefat e komisariateve e klani i tyre, me urdhër të Edi Ramës kanë braktisur detyrën dhe janë vetëm në shërbim të ruajtjes e trafikimit të drogës. Sepse edhe Edi Rama ka braktisur detyrën dhe ka prioritet vetëm plantacionet me drogë.
Kanabizimi i vendit po mbyt ekonominë e ndershme, po shfrytëzon burimet dhe asetet e vendit dhe po sjell krime e vrasje.
Nga ky biznes kriminal përfitojnë vetëm bandat, drejtuesit e Edi Ramës në polici dhe sigurisht vetë ai, në krye të skemës së 30 përqindëshit.
Kjo nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Shqiptarët nuk duan drogë, por punë të ndershme e siguri për familjet e tyre. Qytetarët do ta heqin këtë zgjedhë të bandave të drogës me Edi Ramën në krye.
Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.
Tv Klan