Raportoi në Wuhan, gazetari rishfaqet pas 2 muajsh
Një gazetar kinez është rishfaqur në publik pas dy muajsh pasi u ndalua nga autoritetet në Wuhan, epiqendrën e koronavirusit.
Li Zehua tregoi me video se si u përndoq dhe më pas u ndalua nga policia më 26 Shkurt dhe që prej atëherë nuk u pa më në publik.
Të mërkurën, ai publikoi një video ku tregonte se kishte kaluar dy javë në “karantinë” në Wuhan.
Kjo periudhë u ndoq me tjetër izolim kësaj here në vendin e lindjes. Ai tregoi se autoritetet i thanë që duhej të karantinohej për shkak të zonave sensitive që kishte vizituar.
Li Zehua është një gazetar që shkoi në Wuhan në Shkurt pasi një koleg i tij Chen Qiushi u zhduk. Në videot e tij, Zehua shpjegoi pse shkoi atje.
“Para se të hyja në Wuhan, një mik që punonte në median shtetërore kineze më tha se lajmet e këqija rreth epidemisë janë mbledhur nga qeveria qendrore. Mediat lokale mund të raportojnë vetëm lajmet e mira për shërimet e qytetarëve dhe kaq”, tha ai.
Historitë e tij të raportuara përfshijnë ato të krematoriumeve të tejmbushura. Pamjet e tij u panë me miliona herë në platformat kineze, Youtube dhe Twitter.
Teksa Zehua po transmetonte drejtpërdrejt në kanalet e tij të komunikimit, disa oficerë tentuan që ta ndalonin në dhomën e gjumit në hotelin ku po qëndronte.
“Ai fiku dritat dhe qëndroi në heshtje ndërkohë që oficerët trokitën në dyert e tjera. Ai i injoroi për të paktën 3 orë, por ata u kthen sërish. Kur hapi derën u dërgua në një stacion policie ku dha shenjat e gishtërinjve dhe disa mostra gjaku”, shkruan BBC.
Autoritetet i thanë që dyshohej se kishte prishur qetësinë publike, por se nuk do të kishte ndëshkime, veçse duhej që të karantinohej.
Kolegu i tij, Chen Qiushi ende nuk ka kontakt me miqtë prej 75 ditësh. Një tjetër gazetar që raportonte nga Wuhan-i Fang Bin ka humbur gjurmët që prej Shkurtit./tvklan.al