Rasti Pecorelli, masë disiplinore ndaj 3 punonjësve të policisë së Pukës


Rasti Pecorelli, masë disiplinore ndaj 3 punonjësve të policisë së Pukës

22:45 20/09/2021

Në studion e “Opinion”, duke folur për rastin e inskenimit të zhdukjes nga biznesmeni italian Davide Pecorelli në Gjegjan të Pukës, gazetari Spartak Koka, zbuloi se ndaj 3 efektivëve të policisë të Pukës u mor masa e vërejtjes me paralajmërim për pushim nga puna për neglizhencë në administrimin e sigurimin e provave materiale dhe shpërndarjen e pamjeve filmike nga vendi ku digjej makina e italianit, në një kohë kur hetimet për fatin e Pecorelli-t nuk arritën gjëkundi.

“Do doja të theksoja një paradoks që ka ndodhur, megjithëse Davide Pecorelli ka vendosur të gjithë institucionet në lëvizje, Policia e Shtetit megjithëse nuk ka arritur të zbardhë këtë, ka vendosur të japë masa vërejtje me paralajmërim nga puna 3 punonjësve të policisë së Pukës, pasi sipas tyre: nuk kanë marrë masa për sigurimin e vendit të ngjarjes, administrimin e sigurimin e provave materiale duke shfaqur neglizhencë të dukshme gjatë kryerjes së veprimeve hetimore. Ngjarja është cilësuar si aksidentale duke sjellë si pasojë dëmtim të hetimit penal. Ndër të tjera, nga gazetarët investigativë në studio televizive janë transmetuar pamjet filmike gjatë djegies së automjetit kryer nga persona të pranishëm në vendin e ngjarjes.”

“Pra më shumë janë marrë me policët, të cilët kanë bërë dhe video dhe janë shpërndarë edhe tek korrespondentë të ndryshëm në pamundësi për të vajtur në një terren të vështirë, sesa për t’u marrë se nga u largua apo se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Davide Pecorelli-n. Policia Shkencore do të duhet të investohet më shumë në pajisje dhe në njerëz të cilët të na japin përgjigje më të shpejta dhe sidomos në raste të tilla ku imazhi i qytetin të Pukës dhe komunitetit atje u dëmtua falë një hetimi të zvarritur për të përcaktuar që kemi të bëjmë ose jo me të njëjtin person. Veçanërisht kur në rastin e profileve gjenetike ne shpeshherë vitet e fundit kemi kërkuar ndihmë nga Kosova dhe kemi qenë gjithmonë të pamundur për të ndërtuar një profil gjenetik të ADN-së”, shtoi Koka./tvklan.al






Të ngjashme