Rasti Skripal, Rusia: Britania po luan me zjarrin
“Britania e Madhe po luan me zjarrin për rastin Skripal dhe për këtë nuk do t’i vijë mirë”. Deklarata e fortë vjen nga ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasili Nebenzia, i cili akuzoi Londrën se kërkon të diskretitoje Moskën.
“Nuk di as si ta komentoj këtë. Është si një teatër absurdi. Përse ne duhet të prisnim 8 vjet dhe ta sulmonim vetëm 2 javë përpara zgjedhjeve dhe pak muaj përpara Botërorit të futbollit? Së pari, përse duhet ta lironim nga burgu? Ju nuk mund të gjenit një “Fake Story” më të mirë, por kjo nuk do të përfundojë mirë.”
Për herë të parë pas sulmit me gaz nervor, vajza e Sergei Skripal doli nga koma dhe dha deklaratën e parë. Ajo tha se po përmirësohet dita ditës dhe e përshkroi si të turbullt momentin e parë të sulmit.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe janë në pikën më të ulët në dekadat e fundit. Londra dhe 29 vende aleatë, përfshirë Shqipërinë, dëbuan mbi 140 diplomatë rusë nga vendet e tyre. Një lëvizje që mori përgjigjen reciproke të Moskës.
Tv Klan