RD distancohet nga Frrokaj?


RD distancohet nga Frrokaj?

15:40 18/03/2018

Një ditë pasi Partia Demokratike tha se shpresonte që Fran Frrokaj të dilte i pafajshëm, organi i saj zyrtar, Rilindja Demokratike e thumbon kryebashkiakun e Lezhës për marrëdheniet që ka mbajtur me Kryeministrin Rama.

Si për t’u distancuar prej tij, gazeta e partisë më të madhe në opozitë, i kujton Frrokajt një darkë mes tij dhe Kryeministrit në Janar kur qeveria u mblodh në Lezhë.

Rilindja Demokratike citon një mik anonim të Frrokajt, që sipas saj e kishte paralajmëruar atë duke thënë se pas darkës me Kryeministrin “ka për ta hëngër”, pasi Rama ishte i pabesë, gjë të cilën Frrokaj nuk e kishte besuar.

Duke pyetur se çfarë ndodhi në darkën e Lezhës, gazeta shkruan se Frrokajn e thumbuan edhe miq të tjerë për darkën, për të cilën ai ishte shprehur se s’kishte bërë asgjë të gabuar, pasi kishte takuar Kryeministrin e vendit të tij, pavarësisht pozicioneve politike.

Por ky takim dhe qëndrimet e shprehura edhe publikisht nga Rama dhe Frrokaj për bashkëpunim për të shtuar financimet në Lezhë siç duket nuk janë mirëpritur nga Partia Demokratike, gazeta zyrtare e së cilës gjeti rastin t’ia përmendë ato teksa ai ndodhet i arrestuar dhe në të njëjtën dite kur mbështetësit të Frrokajt akuzojnë deputetët demokratë të Lezhës se i kanë lënë vetëm.

Tv Klan






Të ngjashme