Reagojnë drejtorët e Burgjeve të shkarkuar nga detyra
Tre nga ish-drejtorët e Burgjeve të shkarkuar në fundjavë nga detyra paralajmëruan se do të bëjnë kallëzim penal ndaj ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Ata sqarojnë në një deklarate për shtyp se vendimi është i paligjshëm.
Lidhur me motivacionin, për përfshirje në fushatën elektorale, ata thonë se ai është i pabazë, i pafaktuar dhe tendencioz.
Madje sipas tyre nga kjo situatë e krijuar mund të cenohet siguria kombëtare, pasi burgjet janë pa drejtues dhe mund të përdoren politikisht.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila në një njoftim për mediat ka sqaruar se të gjitha largimet nga puna janë bërë duke u mbështetur në ligj.
Sipas drejtorit teknik, Arjan Hoxha, të gjithë të shkarkuarit janë gjetur me shkelje të rënda, pasi kanë përdorur institucionin për qëllime politike, kanë fikur kamerat e sigurisë në burgje pa asnjë motiv për disa ditë, kanë punësuar njerëz fiktivisht, kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin për të burgosurit, kanë falsifikuar librat e hyrje-daljeve dhe nuk kanë zbatuar urdhrat e eprorit. Këto shkelje sipas drejtorisë së burgjeve mjaftojnë për t’i larguar nga puna dhe për t’i kallëzuar në Prokurori.
/Tv Klan