Reagojnë krerët më të lartë të shtetit dhe politikës për vrasjen e gjyqtares


Reagojnë krerët më të lartë të shtetit dhe politikës për vrasjen e gjyqtares

23:23 31/08/2017

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë reagoi për vrasjen e gjyqtares Fildez  Hafizi. “E tmerrshme! Një tjetër viktimë e dhunës në familje në  Shqipëri. Mbrojtja e grave të  kërcënuara është një përgjegjësi e qartë e shtetit”, shkruhet në reagimin e Misionit të BE në Shqipëri.

Ndërsa dënoi vrasjen barbare të gjyqtares, Presidenti i Republikës Ilir Meta inkurajon organet ligjzbatuese si dhe gjykatat shqiptare të vënë para drejtësisë dhe t’i japin autorit një dënim shembullor.

Në  një postim online, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shkruan së një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur.

Për vrasjen e gjyqtares Fildez Hafizi reagoi edhe Ish-kryeministri Sali Berisha . “Ekzekutimi i gjykatëses, një krim i shëmtuar, një vrasje e paralajmëruar!”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Ndërsa për kryetaren e LSI Monika Kryemadhi, kjo ishte një vrasje e paralajmëruar.

Në mbrëmje reagoi edhe kryeministri Edi Rama përmes një postimi të shkurtër në facebook, ku shkruan se “Krokodilët që lotojnë për gjykatësen e ndjerë nuk donin as Reformën në Drejtësi as Vetingun! Përpara me Vetingun për drejtësinë që duam”. Tv Klan






Të ngjashme