Reagon CEZ: Deklaratat e PD, të pavërteta
Ka reaguar CEZ Shpërndarje, e cila i quan të pavërteta deklaratat e zëdhënëses së Partisë Demokratike për kreun e Task Forcës në Tiranë. CEZ thotë se ka kryer verifikimet e nevojshme për rastin në fjalë, ndërsa punonjësi i kompanisë Idajet Buzi thekson se ai është i padënuar më parë dhe se disponon një dëshmi të pastër penaliteti.
Sipas tij, çështja të cilës i referohet zëdhënësja e Partisë Demokratike është një çështje administrative, e cila është ende në gjykim dhe që ka të bëjë me lirimin e tij të padrejtë nga detyra në Doganën e Durrësit në vitin 2005.
Buzi i quan trillime deklaratat e zëdhënëses së Partisë Demokratike dhe shprehet se do të respektojë çdo vendim të gjykatës. Ai i bën thirrje opozitës të respektojë parimin themeltar të prezumimit të pafajësisë përderisa ndaj ndaj tij nuk ka asnjë vendim të formës së prerë, pasi çështja është në gjykim.