Reagon Rama: Nesër do të flas për Fatmir Xhafajn


Reagon Rama: Nesër do të flas për Fatmir Xhafajn

19:18 15/05/2018

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të flasë ditën e nesërme për situatën e krijuar me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili është vënë në qendër të akuzave nga opozita prej një jave.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri thotë se nesër në orën 11:00 do të raportojë në mbledhjen e grupit parlamentar për këtë çështje, si dhe për negociatat me Bashkimin Europian.

“Jemi të gjithë njësoj? JO, s’kemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e s’do jemi kurrë njësoj! Nesër në 11.00 përpara Grupit Parlamentar, qëndrimi im për situatën e krijuar me Ministrin e Brendshëm dhe ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave”,

thotë Rama.

Kryeministri ka qenë në Francë gjatë dy ditëve të fundit, ku u takua me Presidentin Macron një muaj para se vendet e BE-së të votojnë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj akuzohet nga Partia Demokratike se ka falsifikuar një nen të ligjit dhe ka ndihmuar vëllain e tij Agron Xhafaj që t’i shpëtojë drejtësisë. Agron Xhafaj është dënuar në Itali me vendim të formës së prerë për trafik droge. /

tvklan.al






Të ngjashme