Reagon Urdhri i Infermierit: Lejet e ushtrimit të profesionit janë të njohura në Itali


Reagon Urdhri i Infermierit: Lejet e ushtrimit të profesionit janë të njohura në Itali

15:31 31/03/2020

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka reaguar pas aludimeve në disa media se mes infermierëve të dërguar në Itali ka edhe njerëz që nuk e ushtrojnë këtë profesion.

Në reagim thuhet se të 20 infermierët janë anëtarë aktivë të Urdhrit dhe janë të pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit.

Urdhri i Infermierit shpreh indinjatën e tij përkundrejtë të gjithë aludimeve që po bëhen për të zbehur kontributin e profesionistëve tonë në shtetin fqinj, Italinë”, thuhet në reagim duke shtuar se lejet e ushtrimit të profesionit të lëshuara nga Urdhri janë plotësisht të njohura nga organet homologe në Itali.

Më herët, disa media e quajtën infermierin Qazim Ismaili, i cili ka shkuar në Itali për të dhënë kontributin e tij, si “pompist të veshur si mjek”.

Por më vonë u bë publike leja e ushtrimit të profesionit të Ismailit si infermier. Përveç se shërbimit në spitalet shqiptare, Ismaili kishte punuar edhe si infermier në Itali disa vite më parë.

Deklarata e plotë:

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë informon opinionin publik se 20 Infermierët të cilët në këto momente po japin kontributin e tyre në luftën kundër Covid – 19 në Spitalin e Brescias në Itali, janë të anëtarë aktivë të Urdhrit dhe të pajisur me Lejen e Ushtrimit të Profesionit të Infermierit.

Urdhri i Infermierit shpreh indinjatën e tij përkundrejtë të gjithë aludimeve që po bëhen për të zbehur kontributin e profesionistëve tonë në shtetin fqinj, Italinë.

Lejet e Ushtrimit të Profesionit të lëshuar nga UISH janë plotësisht të njohura nga organet homologe në Itali. /tvklan.al






Të ngjashme