
Real Madrid shumë pranë titullit
I mungon edhe vetëm një pikë për tu shpallur kampion. Reali i Madridit fitoi 4 – 1 ndaj Celta Vigos me një lojë që tregoi se Los Blancos janë me vetëbesim të plotë se do të shpallen kampionë në Spanjë. Cristiano Ronaldo tërhoqi edhe një herë ekipin në këtë ndeshje vendimtare duke shënuar dy herë. Sfida e fundit e Kampionatit është ajo me Malagan. Realit i mjafton edhe barazimi për të fituar titullin e parë Kampion në 5 vitet e fundit. Portugezi nuk mjaftohet me kaq por thotë se skuadra do të shkojë për fitore.
“Duhet të shkojmë deri në fund. Ashtu si treguam edhe sot, po luajmë mirë, me besim. Duhet edhe një ndeshje. E dimë që Malaga në shtëpi është e fortë, por ne mendojmë për vete dhe do të shkojmë atje për të fituar.”
Në Balaidos, Ronaldo shënoi golin e parë në fillim të takimit. Vendasit i shtrënguan rradhët e tyre dhe nuk lejuan gol tjetër. Me fillimin e pjesës së dytë, Ronaldo shënoi sërish. Reali ishte më i qartë në lojën e vet por pësoi në minutën e 69. Gjithësesi forca e skuadrës u tregua një minutë më pas me golin e tretë nga Benzema. Dy minuta nga mbyllja e kohës së rregullt Toni Kroos realizoi të katërtin. Reali ka tashmë 90 pikë në renditje. Barcelona ndjek me 87. Në ndeshjen e fundit Katalanasit presin Eibarin.
/Tv Klan