Reforma në Drejtësi, reagimet e deputetëve para Kuvendit
Pas më shumë se dy orësh, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë nga takimi që po zhvillohej mes tij, kryetarit të parlamentit Ilir Meta dhe dy ambasadorëve, ajo e BE, Romana Vlahutin dhe Ambasadori amerikan Donald Lu, me qëllim gjetjen e konsensusit për miratimin e Reformës në Drejtësi.
Mësohet se Basha bie dakord me propozimin e ambasadorëve për KLGJ dhe KLP, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete. Ndërkohë, takimi vijoi mes Metës dhe dy ambasadorëve.
Pas përfundimit të mbledhjes, Kryetari Basha nuk ka pranuar të prononcohet për mediat.
Jashtë ambienteve të Kuvendit, deputetë të të dyja kaheve politike, të pyetur nga mediat shprehen pozitivë se kjo reformë do të kalojë me sukses.
Sali Berisha:
“Nuk ka njeri që nuk ka ngelur pa e marrë vesh se kush po e bllokon Reformën në Drejtësi. Sigurisht kam keqardhje që të bllokohet, pasi mendoj se është bërë një punë e jashtëzakonshme. Mendoj se nuk ka asnjë shkak për të mos e votuar. Nuk mund të paragjykoj, pasi ka negoçiata që vazhdojnë, por jam qind përqind i sigurtë se mund të zgjidhen.
Është pala tjetër që mohon marrëveshjen. Për fat të mirë, Ministri i Drejtësisë pohon atë që ka pohuar përfaqësuesi i marrëveshjes konfidenciale i Edi Ramës. Besoj se dëshmitari më i besueshëm është Ylli Manjani. E vërteta është që një rilindas më ka dërguar sot një mesazh. Se po përpiqen për t’u bërë 71 vota. Burimi thotë se synimi është ky. Nuk e di nëse është arritur, por këtë thotë deputeti dixhital.
Kushtet të reja të opozitës është vetëm moskapja, nuk ka kushte për KLGj e KLP. Ne jemi të gatshëm që të votojnë edhe pasditte këtë reformën e dakordësuar. Uroj që të votohet, por nëse nuk do të ketë konsensus, Partia Demokratike nuk do ta votojë. Unë kam qenë në mbledhje të grupit dhe asnjë nuk ka thënë se do ta votojë. Sa i përket qeverisë teknike është një tezë e paraqitur shumë herët nga Basha dhe tashmë nga Meta dhe do të ishte një zgjidhje shumë e dobishme për të përgatitur vendin për zgjedhje.
Në një deklaratë për mediat para parlamentit Deputeti i PS, Ben Blushi tha se shpreson që kjo reformë të votohet, pavarësisht se e cilësoi si qesharake situatën e krijuar, duke e cilësuar klasën politike si të papërgjegjshme.”
Ben Blushi:
“Unë shpresoj që të gjendet marrëveshja, pavarësisht se kjo që po ndodh është qesharake, tregon se kemi një klasë politike të papërgjegjshme dhe është turp që të jesh anëtar i këtij parlamentit, tregon se sa naive dhe sa e papërgatitur është për të drejtuar. Kjo është e papranueshme dhe e turpshme. Rëndësi ka që të kalojë reforma. Kam 6 muaj që pres për të votuar, një draft të hyjë në seancë, kam ardhur për të votuar.
Klasa politike gjen marrëveshje për të mos u marrë vesh. Nuk dua të di çfarë do të ndodhë pas reformës, reforma në drejtësi sot duhet të votohet me çdo kusht.
”
deklaroi Blushi.
Arben Ahmetaj:
“Jam i sigurt që sot reforma do të kalojë.Është ditë e shënuar edhe sikur të jetë një ditë maratonë. Është ditë kyçe për Shqipërinë. Kam bindjen se sot reforma kalon. Shqipëria ka më shumë se 94 vota për miratimin.”
Damian Gjiknuri:
“Konsensusi tashmë është i arritur.”
Optimiste gjithashtu për miratimin e kësaj reforme u shpreh edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila tha se të gjithë e duan miratimin e saj.
Mimi Kodheli:
“Do të ketë një miratim, njerëzit e kërkojnë këtë të gjithë e kërkojmë këtë. Është shumë e rëndësishme që të biem dakord. Jemi përfaqësues të denjë dhe të respektuar të qytetarëve shqiptarë. Kemi një ngarkesë të madhe dhe një përgjegjësi të madhe.Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se kaq. Që në fillim deri në fund kemi qenë besimplote se jemi duke bërë më të mirën. Është një proces i vështirë por jo i pamundur”- deklaroi Kodheli.
Më herët, në një prononcim të shkurtër për gazetarët para hyrjes së Kuvendit, ish – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh se PD ka marrë një vendim për ta votuar sot reformën, ndërsa me ironi tha se “burrat po bëhen më keq se gratë e këqija.”
“Deri dje kam besuar në një marrëveshje dhe fjalë burrash. Burrat këtu po bëhen më keq se gratë e këqija. PD ka marrë vendim për të votuar reformën. Reforma sot duhet të votohet”.
Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Selami gjithashtu u shpreh optimist për miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa i cilësoi si të pakëndshme tentativat për ta bllokuar atë. Ai shtoi gjithashtu se PD e ka ende një vendim unanim për ta miratuar sot në Kuvend dhe se nuk ka kthim mbrapa.
Eduard Selami
:“Janë të pakëndshme, të papritura dhe për të ardhur keq. Askush nuk mund të ndalë Reformën në Drejtësi. Kjo reformë do të bëhet sipas draftit të zonjës Nuland dhe nuk ka kthim mbrapa. Jam shumë optimist. Ne e kemi akoma një vendim unanim”, deklaroi ai.
Genc Ruli:
“Vota ime është pro reformës. Reforma nuk është vetëm drafti që është para. Drejtësia nuk mund t’i lihet Ramës. Reforma kërkon të largojë politikën nga drejtësia dhe kjo bëhet me balancimin e organeve.”