Reforma rrezikon të ngecë në parlament
Edhe Lefter Koka del kundër marrëveshjes Rama-Basha
Reforma zgjedhore, e miratuar sipas marrëveshjes Rama-Basha, rrezikon të mos kaloje në Kuvend. Deputetët e opozitës parlamentare e kanë deklaruar hapur votën kundër.
Nuk u bindën për të ndryshuar qëndrim as në takimin e kërkuar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe as në atë që kërkuan vetë me kryeministrin Rama.
Votave kundër u bashkohet edhe kartoni i kuq i deputetit Lefter Koka, i cili nuk pranoi të linte mandatin, u reshtua krah mazhorancës në votimin e disa ligjeve dhe tani thotë hapur se marrëveshja e partive të mëdha është zhgënjyese.
“Për hir të vërtetës më shumë ka zhgënjyer demokratët e thjeshtë, që pas 3 vitesh rrugëve me protesta prisnin largimin e Ramës, dhe jo një marrëveshje të Bashës me Ramën për të mos ndryshuar asgjë! Po nga ana tjetër edhe elektorati gri është i zhgënjyer , sepse panë se kjo marrëveshje nuk solli depolitizimin e komisioneve zgjedhore, siç me të drejtë ky elektorat priste, por veç riciklim të tensionit”.
Deputeti Koka thotë se do t’i bashkohet opozitës parlamentare nëse ajo do t’i shkojë deri në fund betejës për listat e hapura. Në të kundërt, do të abstenoje në votimin e reformës.
“Nisma e re e deputetit Murrizi dhe kolegut Musai krahas të tjerë deputetëve të opozitës parlamentare, më duket shumë më interesante, se sa gjella bajate e gatuar me muaj të tërë nga kolegët Vasili, Bylykbashi, Gjiknuri. Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve me shumë parti, që si fëmijët e lagjes fshihen pas të madhit, shkojnë në drejtimin e duhur për reformimin e politikës. Uroj vërtet, që të mos jetë si një flakë kashte dhe jam i gatshëm ta mbështes në rast se kjo nismë do të vijë në Kuvend. Përndryshe për marrëveshjen për t’i lënë gjërat siç janë , garantoj qytetarët se nuk do të lodhem të ngre kartonin, as për pro e as për kundër”.
Partitë e mëdha kanë rënë dakord që marrëveshja të votohet në Kuvend pa ndryshime. Por pa votat e opozitës parlamentare, e cila e ka denoncuar publikisht atë si pazar dhe me deputetë të tjerë që po dalin kundër, miratimi duket i pamundur.
Tv Klan