Reforma shkrin Prokurorinë e Krimeve të Rënda


Reforma shkrin Prokurorinë e Krimeve të Rënda

14:10 12/08/2016

E krijuar në vitin 2004, si strukturë e cila do të luftonte krimin e organizuar dhe bandat më të rrezkshime të kohës, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë se ekzistuari, si rezultat i ndryshimeve që do të sjellë Reforma në Drejtësi. Në draftin final të kësaj reforme, e cila u miratua me 140 vota pro më 21 Korrik në parlament, parashikohet shkrirja e këtij institucioni.

Në nenin 45 pika 8 e ndryshimeve kushtetuese thuhet se:

Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë së funksionuari. Transferimi i çështjeve në hetim dhe gjykim do të kryhet sipas ligjit. Prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do të emërohen brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ligjit.

Vetëm me këto dy fjali parashikohet ristrukturimi i kësaj Prokurorie. Por nuk parashikohet se çfarë do të ndodhë me trupën e prokurorëve dhe të oficerëve, që prej 12 vitesh punojnë pranë Krimeve të Rënda. Cili do jetë fati i tyre nuk thuhet dhe pritet të mësohet pas miratimit të paketës ligjore, që e bën funksionale Reformën në Drejtësi.

Ndërkohë, po në nenin 45 pika 8 për gjyqtarët e Krimeve të Rënda është përcaktuar pozicioni i tyre se ku mund të shkojnë pas miratimit të Reformës.

Gjyqtarët në detyrë pranë këtyre gjykatave do të transferohen në gjykata të tjera, në rast se ata ose familjarët e tyre të afërt nuk japin pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive të tyre financiare dhe telekomunikimeve vetjake.

Fati i 23 prokurorëve pritet të mësohet pas miratimit të ligjeve organikë. Pritet të shihet nëse ata do të kenë mundësi të konkurojnë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme apo e njohur ndryshe si SPAK, struktura e posaçme antikorrusion që do të hetojë veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Tv Klan






Të ngjashme