Reforma zgjedhore/ 3 ish-kryetarët e KQZ: Varet nga vullneti politik
Në një kohë kur reforma zgjedhore po kthehet në kryefjalën e politikës, ekspertët mbështesin kërkesën për realizimin e votimit dhe numerimit elektronik. Për dy ish kryetarët e Komisionit Qëndrorë të Zgjedhjeve, Kristaq Kumen dhe Çlirim Gjatën, nëse kjo realizohet do të sjellë mirëadministrim të procesit zgjedhor.
Kristaq Kume:
“Është i mundshëm për t’u bërë nese ai do të realizohet si një proces i mbyllur brenda qendrës së votimit”.
Çlirim Gjata:
“Janë realizuar dhe probleme të tjera në mbarë vendin rrugë elektronike, pse mos bëhet dhe votimi në rrugë elektronike”.
Por ish-kryetarja e KQZ Lefteri Luzi nuk ndan të njëjtin mendim .
Lefteri Luzi:
“Të konsiderosh 1.5 milionë votues shqiptarë, t’i çosh në votim elektronik dhe numërim elektronik për shkak se partitë politike nuk kanë besim te njëri-tjetri, ku kostoja është jashtëzakonisht e madhe dhe besueshmëria e procesit gjithmonë lë shumë për të dëshiruar. Mendoj se nuk është një zgjidhje”.
Sa i takon propozimit të Partisë Demokratike për të ulur rolin e kryetarëve dhe për t’i dhënë qytetarëve mundësi zgjedhje, ekspertët japin sygjerime të ndryshme.
Kristaq Kume:
“Unë do të isha për sistem propocional të paster, me një zonë zgjedhore, me lista të hapura, i cili jep jo vetëm mundësi gare, i jep mundësi po ashtu formimit të koalicioneve postzgjedhore si dhe krijon mundësi për emigrantët”.
Çlirim Gjata:
“Mund të jetë qoftë sistem maxhoritar i pastër ose i përzier, qoftë propocional i pastër apo i përzier, e rëndësishme eshtë që të jetë me lista të hapura, që qytetarët të mos votojnë atë që u urdhërohet apo ju vjen në pjatë nga partia, por të votojnë vetë atë që duan të shkojë deputet”.
Lefteri Luzi:
“Reforma zgjedhore nuk sjell demokracinë e partive politike, duhet që këto të fundit të aplikojnë metoda të tilla që të cilat sjellin demokracinë brenda për brenda partive politike”.
Për të realizuar refomën zgjedhore, ish-kryetarët kërkojnë që palët të kenë vullnet politik për ta realizuar dhe jo retorikë boshe. Reforma zgjedhore kërkon 3/5 e votave në Parlament, për këtë arsye forcave politike do t’u duhet të gjejnë patjetër gjuhën e përbashkët. Ditët në vijim pritet që maxhoranca dhe opozita të ulen në një tryezë për të diskutuar në lidhje me ligjin zgjedhor.
Burimi: Klan Plus
Gazetare: Jonida Koçi