Refuzoi të bënte detyrat e shtëpisë, rrihet për vdekje 9-vjeçari
Katër anëtarë të së njëjtës familje janë arrestuar pasi një 9-vjeçar u dhunua për vdekje në shtëpinë e tij në qytetin e Mulhouse, në Francën lindore. Burimet policore thanë për median lokale se i mituri kishte refuzuar të bënte detyrat e shtëpisë kur ishte goditur me shkop fshese.
Në momentin e ngjarjes prezentë ishin vëllai i tij i madh, motra dhe motra nga njerku. Autor i krimit akuzohet të jetë vëllai 19-vjeçar i të miturit, por hetimi i plotë i autoriteteve pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen, raporton “BBC”.
Edhe pse nuk ishte në vendngjarje në momentin e krimit, në pranga ka përfunduar edhe e ëma e të miturit, e cila ishte e ndërgjegjshme për gjithçka ndodhte në shtëpi. Ajo ishte në një udhëtim pune, por raportohet se ka inkurajuar ndëshkimin e të miturit ngase nuk dëshironte të kryente detyrat e shtëpisë.
Trupi i 9-vjeçarit pritet t’i nënshtrohet autopsisë, pasi edhe pse kishte pësuar arrest kardiak, patologët thanë se shkak për vdekjen e tij janë bërë goditjet e marra.
Vdekja e të miturit vjen në një kohë që Asambleja Kombëtare e Francës pritet të ndalojë me ligj “të gjitha mjetet e poshtërimit të fëmijëve, përfshirë dhunën fizike dhe verbale, ndëshkimin fizik dhe abuzimin moral” në përpjekje për të siguruar një arsimim të fëmijëve pa dhunë. /tvklan.al