Regjisori Budina: Ne po e përdorim opozitën
Regjisori Edmond Budina ka qenë një prej personave më aktivë në mbrojtje të teatrit kombëtar gjatë këtyre dy viteve.
Ai ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku foli rreth shembjes së Teatrit Kombëtar.
Budina iu përgjigj pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu nëse artistët po përdoren nga opozita dhe tha se po ndodh e kundërta.
“Ne po e përdorim opozitën. Këtë e them me bindje absolute. Ne nuk ia kemi hequr të drejtën askujt. Aty kishte edhe Vetëvendosje, Thurje. Ne kemi ftuar dhe socialistë. Një nga socialistët është Arben Malaj. Ne nuk ia privojmë të drejtën askujt, por duhet të bëhemi të gjithë sëbashku për të mbrojtur kulturën shqiptare, trashëgiminë shqiptare, për të mbrojtur këtë të keqe që na ka zënë”, tha Budina.
Budina i kthen përgjigje Edi Ramës
Regjisori i njohur u përgjigj edhe për deklaratën e Ramës disa ditë më parë për vetë Edmond Budinën.
Sipas regjisorit, nëse godina ka qenë e rrezikshme më parë, atëherë Kryeministri ka rrezikuar jetët e artistëve pasi i ka lejuar të futen aty deri para 1 viti.
“Është një përdorim i turpshëm që bën kryeministri duke vënë balancë se kush është më i talentuar, më i mirë dhe kush janë më të këqij. Lista që kanë nxjerrë ata është shumë herë më e vogël se e jona. Por kjo nuk do të thotë asgjë. nuk vihen në kandar talentet e njërit dhe tjetrit. Ç’janë këto budallallëqe që të fusni njerëzit në grindje me njëri-tjetrin. Pastaj cila është shpifja ime? PD nuk është partia ime. Përkundrazi ke rrezikuar jetën e njerëzve kur thua që është e rrezikshme, kanë vazhduar shfaqjet për një vit e gjysmë po në atë teatër. Si e ke lejuar zoti Kryeministër që ata njerëz të futen? Duhet të shkoni në gjyq për atë gjë që keni bërë atje”.
Si do të vazhdojë aksioni i artistëve?
Budina u shpreh se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do ta vazhdojë kauzën e saj me protesta. Ai tha se ata nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve.
“Ne do të vazhdojmë me protesta. Nuk do ta lejojmë piunimet, do të vzhdojmë me protesta deri në fund”, tha Budina./tvklan.al