Regjistrimi i adresave, KSHH përshëndet punën e Ministrit Tahiri
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka përshëndetur punën e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, në lidhje me projektin e regjistrimit të integruar të adresave dhe shtetasve shqiptarë.
KSHH u është drejtuar me një letër falënderimi qeverisë, parlamentit dhe përfaqësuesve më të lartë diplomatikë në vendin tonë.
Në krye të letrës përshëndetet puna e Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, për këtë projekt që sipas KSHH, do t’i shërbente ndërtimit të një “sistemi adresash të dixhitalizuar”.
“KSHH beson se kjo nismë do të garantonte jo vetëm mbledhjen e taksave të pasurisë, por edhe hartimit të listave më të sakta të zgjedhësve, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017,”
theksohet Komiteti në letrën në fjalë.
KSHH tërheq vëmendjen dhe e konsideron njëherësh të papranueshme dhe të pajustifikueshme faktin që deri më sot nuk kemi një sistem adresash të sakta dhe të plota.
Sipas tyre, në mbi 15 vjet, në raportet pas – zgjedhore të OSBE/ODIHR, është nënvizuar ndikimi negativ që ka pasur kjo zbrazëti në hartimin e listave të zgjedhësve.
Letra e KSHH u është dërguar njëherësh Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ministrave Tahiri e Çuçi, ambasadorëve të OSBE, BE, SHBA, Gjermanisë, Hollandës, Këshillit të Europës.
Ministri Tahiri ka zhvilluar disa takime në komisionet parlamentare dhe me publikun e gjerë, brenda dhe jashtë vendin në lidhje me procesin e regjistrimit të shtetasve në Shqipëri dhe atyre që kanë emigruar./tvklan.al